Lista Serbe kundërshton kryetarët e veriut, i jep ultimatum Qeverisë së Kosovës

Nënkryetari, njëherësh edhe zëdhënësi i Listës Serbe, Igor Simiq, gjatë konferencës për media pas betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, i ka dhënë një afat kryeministrit Albin Kurti “sulmet ndaj serbëve”

Igor Simiq gjatë konferencës për media të Listës Serbe më 19 maj.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, në një konferencë për media të premten, ka thënë se me dhënien e betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, “ka filluar zyrtarisht pushtimi i veriut, e do të përfundojë kur të vendosin serbët”.

Simiq i ka dhënë afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deri më 1 qershor për të “ndaluar represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.

Ai ka shtuar se nëse kjo vazhdon, “përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor, ata do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”, ka deklaruar Simiq, duke mos cekur se cilat janë këto mjete.

Simiq ka thënë se si parti kanë arritur ta ruajnë qetësinë dhe t’i frenojnë njerëzit që të mos reagojnë ndaj emërimit të një “kryetari të rremë”, raporton REL.

Reagimi i Listës Serbe vjen pasi Atiq këtë të premte u betua para Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, procedurë kjo solemne për të marrë detyrën si kryetar. Atiq fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave.

Ai në këtë seancë betimi e ka emëruar edhe nënkryetaren e Komunës, që është Katarina Axhançiq nga radhët e komunitetit serb.

Pas betimit, Atiq para mediave ka thënë se do të punojë me të gjithë qytetarët, pa dallim.

“Ne me gjithë ekipin, do të punojmë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe pa diskriminim. Angazhimin më të madh do ta bëjmë për ta normalizuar këtë pjesë të komunës. I bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të na takojnë, të na vizitojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”, ka deklaruar Atiq në një deklaratë për media pas betimit.

Por, tre kryetarët e tjerë të rinj të tri komunave në veri nuk do ta bëjnë betimin të premten.

Në Komunën e Leposaviqit, kryetar i ri është zgjedhur Lulzim Hetemi nga Vetëvendosje, në atë të Zveçanit, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Zubin Potokun do ta udhëheqë Izmir Zeqiri, po ashtu nga PDK-ja.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale në Kosovë, janë 30 ditë afat pasi certifikohen zgjedhjet për kryetarë të komunave, deri kur kryetarët duhet ta bëjnë betimin para Kuvendit Komunal për të marrë detyrën. Përndryshe humbasin mandatin.

Megjithatë, sipas ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në ato komuna ku kuvendi komunal nuk është konstituuar ende, ekzistojnë edhe disa afate ligjore dhe procedura deri të nisë rrjedhja e afatit ligjor prej 30 ditësh për kryetarin.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika