Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit në veri

Lista Serbe





Lista Serbe, të martën e 15 nëntorit ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në katër komunat e veriut të Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike dhe me KQZ-në, ka caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan-it.

“Marrë parasysh vendimin e Prishtinës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, duam të informojmë publikun se Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, e as qytetarët që e përkrahin partinë tonë, nga të cilët mbi 95% janë në këto zona”, thuhet në njoftim.

Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj vendimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore të vendit.

Sipas Petkoviq-it, zgjedhjet në komunat veriore pa pjesëmarrjen e serbëve nuk kanë kuptim dhe të njëjtat qysh tani mund të quhen si të dështuara.

“Për të gjithë është e qartë se një procedurë e tillë është e kotë. Zgjedhjet për komunat serbe, pa serbë dhe popull serb, nuk kanë kuptim dhe si të tilla janë të dështuara”, është shprehur Petkoviq në një konferencë shtypi.

Kryetarët e komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë dhënë të dielën dorëheqje para kuvendeve përkatëse.

Njëjtë kanë vepruar edhe këshilltarët në kuvendet komunale nga radhët e Listës Serbe.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS.

Goran Rakiq, kryetari i Listës Serbe, ka thënë më 5 nëntor se vendimi për largim nga institucionet do të zbatohet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrim të makinave dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit.

Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.





Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika