Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Ellek, ka thënë të shtunën se ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbim të serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe” nga territori i Kosovës.
Duke folur në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut, Ellek theksoi se të gjithë ata që gëzojnë të hyra nga Serbia janë në rrezik dhe se rreth 100 mijë serbë në Kosovë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i Kosovës për ta ndaluar përdorimin e dinarit serb.
“Kjo vlen për të gjitha institucionet që funksionojnë në sistemin serb, pensionistët, përfituesit e përfitimeve sociale, studentët, bursistët. Pra, i gjithë populli serb”, tha Eleku, shkruan Rel.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) – e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret si valutë për pagesa me para të gatshme – hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e zbatimit të saj.
Kryetari i Listës Serbe thotë se largimi i dinarit nga sistemi i pagesave nënkupton vënien e serbëve në një “pozitë të padurueshme” dhe se është një “prelud i eksodit total të popullit serb” në territorin e Kosovës.
Ai e cilësoi vendimin si “lëvizje përgatitore” nga Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Vendimi për shfuqizimin e institucioneve serbe që kujdesen për arsimin, shëndetësinë, ekonominë dhe asistencën sociale, po ua shfuqizon jetën serbëve”, tha Elleku.
Ai tregoi se në bisedimet me bashkësinë ndërkombëtare, Lista Serbe nënvizoi se “qëllimi përfundimtar i Qeverisë në Prishtinë është spastrimi etnik i serbëve”, dhe se në një takim me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, ata shprehën frikën e tyre që rrjedh nga vendimi për shfuqizimin e dinarit.
Lista Serbe njoftoi se do t’ua dërgojë një letër ambasadorëve të vendeve të QUINT-it.
Ellek tha se bashkësia ndërkombëtare dhe vendet e QUINT-it janë “drejtpërdrejt përgjegjëse për multietnicitetin” në Kosovë dhe “do të jenë bashkëpunëtore të drejtpërdrejta, nëse do të ketë një eksod të popullit serb nga Kosova”.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se zbatimi i rregullores për transaksionet me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtë dhe se nuk do të ketë gjoba për posedimin e valutave të vendeve të tjera.
Ky vendim i Kosovës u kundërshtua nga Serbia, ndërsa bashkësia ndërkombëtare kërkoi shtyrjen e zbatimit të tij me arsyetimin se ekziston shqetësimi se mund të ketë ndikim negativ tek serbët e Kosovës.