Listat e burrave

Ende asnjë parti politike nuk ka denjuar që ta respektojë ligjin për barazi gjinore, sa i përket përfaqësimit të grave të listat zgjedhore. Sfidimi i strukturave tradicionalisht të udhëhequra nga burrat mbetet betejë e vështirë.

Imer Mushkolaj

Listat e kandidateve dhe kandidatëve për deputetë janë bërë publike, por partitë politike nuk është se kanë bërë farë përparimi të madh në përfaqësimin gjinor. Secili subjekt politik e ka përmbushur kushtëzimin ligjor për së paku 30 qind gra në lista, por asnjë nuk e ka arritur 50 përqindëshin, ashtu siç e parasheh ligji për barazinë gjinore, i votuar nga të gjitha partitë politike. Asnjë listë e partive kryesore shqiptare nuk udhëhiqet nga gratë, ndërkaq parti të komuniteteve joshumicë po.

Jeta politike në Kosovë vazhdon të dominohet nga burrat dhe kjo reflektohet edhe në zgjedhje nacionale dhe lokale. Të kushtëzuar nga ligji, partitë politike lënë hapësirë për gratë në lista, por ende asnjë nga to nuk ka denjuar që ta respektojë formulën 50:50. Por, vetëm mund të supozohet se çfarë do të ishte situata po që se nuk do të ekzistonte kuota si kushtëzim. Gratë do ta kishin shumë më vështirë të kandidoheshin dhe të zgjedheshin në parlament. Kështu, kuota shërben si e vetmja garancë për përfaqësim të tyre, ndonëse jo në masën e duhur. Por, ndryshe qëndron puna në institucionet ekzekutive, qendrore e lokale, në të cilat burrat dominojnë me të madhe. Ngjashëm është gjendja edhe në agjenci shtetërore dhe kompani publike.

Në historinë politike të Kosovës vetëm një komunë dhe vetëm për një mandat është qeverisur nga një grua. Ky fakt, më tepër se për gratë, flet për shoqërinë kosovare, flet për mungesën e besimit në gra, flet për “gratë si dekor” në qasjen dhe veprimet e partive politike dhe të institucioneve.

Në listat për zgjedhjet e 9 shkurtit më së shumti gra kandidate në listë ka Lëvizja Vetëvendosje, pasuar nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Partia në pushtet u krenua se në listën zgjedhore ka përfshirë 41 gra. “Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që nuk është krahasuar asnjëherë me subjektet tjera sa i përket kauzave për barazi gjinore e përfaqësim gjinor, por as që i ka pasur ndonjëherë shembull ata”, shkroi në Facebook ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Sipas saj, kjo parti do të vazhdojë të përfaqësojë e të luftojë për më shumë të drejta e më shumë baraza, sikurse do të vazhdojë të ofrojë e shtyjë përpara edhe politika zhvillimore e sociale, që për bazë kanë fuqizimin e gruas në shoqëri. Megjithatë, përkundër deklarimeve për konsum të brendshëm, arritja e 50 përqindëshit është ende larg.

* * *

Jam i vetëdishëm që përfaqësimi i grave nuk është i drejtë as në fusha të tjera, si në biznes, institucione të sigurisë, media etj. Po ashtu, jam i vetëdishëm edhe për mungesë grash ose prani simbolike edhe në debate politike. Mjedisi burrëror sikur i frenon ato që të bëhen më fort pjesë e jetës politike dhe shoqërore. Siç mund të jetë pengesë serioze edhe mendësia në të cilën është zhvilluar dhe po zhvillohet shoqëria.

Qasja e barabartë e burrave dhe grave në vendimmarrje është parakusht i domosdoshëm për qeverisje demokratike. Por, pabarazia gjinore vazhdon të jetë evidente, në sektorin publik e privat.

Ndërkohë, sipas një studimi të Institutit të Kosovës për Drejtësi, mungesa e rezultateve në luftën kundër korrupsionit në Kosovë ndërlidhet ngushtë edhe me mungesën e përfshirjes së grave në pozita udhëheqëse. Pra, sa më shumë gra në pushtet aq më pak korrupsion. Sipas këtij studimi, përfshirja më e madhe e grave në udhëheqje është një faktor për nxitjen e qeverisjes të bazuar në llogaridhënie. Shoqëritë që kanë më shumë barazi gjinore, kanë institucione më të forta, kanë qeverisje më të mirë dhe më pak tolerancë ndaj praktikave korruptive. Sipas IKD’së, për shkak edhe të dominimit të sferave udhëheqëse nga burrat automatikisht edhe rrjetet korruptive dominohen kryesisht prej tyre.

Sfidë e fortë në rrugën drejt barazisë gjinore në të gjitha fushat janë strukturat shoqërore tradicionalisht të udhëhequra nga burrat. Për sfidimin e tyre nevojitet punë dhe angazhim serioz jo vetëm nga partitë politike – të cilat gratë mund të vazhdojnë t’I përfshijnë në lista shkaku I kushtëzimit ligjor – por nga mbarë shoqëria.

Të fundit nga rubrika