“Me majtë thmija shpi, Kola jem i man tri”, “Tendenca për të nënshtruar AKK-në, nuk kalon. Kah jeni nisur o djem?” – kështu i është kundërpërgjigjur kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, deklaratës së kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili tha se Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) po refuzon trajtimin e kërkesës së komunave në veri të vendit për anëtarësim.
Në një postim në Facebook, Lladrovci ka thënë se për herë të parë në mbledhje të AKK-së u theksua ndarja politike e kryetarëve, duke thënë se këtë e bëri me “dramacitet”, njëri kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj “duke bërë akuza sa pa vend, aq edhe qesharake”.
Sipas Lladrovcit, AKK ka dëshmuar kompetencë dhe përkushtim, “duke arsyetuar plotësisht ekzistencën e vet si OJQ, në dobi të komunave, e vlerësuar lart edhe nga institucionet kredibile ndërkombëtare”.
“Asociacioni ka qenë dhe është ndihmesë e madhe për komunat, për unifikimin e interesave, qëndrimeve dhe bashkëpunimit të komunave me nivelin qendror, njëherësh duke artikuluar interesat e komunave, duke këshilluar dhe aftësuar personelin rreth ligjeve dhe fushave respektive. Tendenca për të nënshtruar AKK-në, nuk kalon. Kah jeni nisur o djem?”, ka shkruar Lladrovci.
Ndryshe, sot, kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka thënë se ka shtatë muaj që Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) nuk e ka trajtuar kërkesën e komunave në veri të vendit për anëtarësim.
Por, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se ky reagim i Rahimajt vjen në “mungesë të informatave” pasi, sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur tërheqje të komunave veriore nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, prandaj nuk mund të pranohen, sepse, siç thotë ai, veçse janë të pranuara.
“Nuk kemi mundur të shqyrtojmë, të ripranojmë, ato nuk kanë bërë tërheqje zyrtare. Në shtator kanë bërë vendime, në nëntor na kanë ardhë vendimet e tyre. Nëse nuk janë tërheqë nga Asociacioni zyrtarisht me vendime të Kuvendit Komunal, nuk mundemi m’i pranu, ato janë të pranuar. I kemi involvuar, edhe sot kanë qenë të ftuar të marrin pjesë në takim, janë të ftuar, gjithashtu e kanë konfirmuar se do të vinë në një vizitë që e kemi javën e ardhshme. Nuk mundemi të shqyrtojmë diçka që ata janë veç të pranuar. Është ngritë kjo çështje në mungesë të informatave”, ka thënë Ibrahimi.
Kryetari i Kamenicës: AKK po refuzon ta trajtojë kërkesën për anëtarësimin e komunave në veri