Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë në orët e vona të së martës së 1 prillit, në qytetin e Kaçanikut, në jug të Kosovës. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ai ishte gjetur i plagosur rëndë në hyrjen e ndërtesës ku banonte, rreth orës 23:00. Polici i ndjerë, i cili është identifikuar si Muhamed Lika, ishte transportuar për në Qendrën e Mjekësisë, në Kaçanik, por nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve të pësuara.
Rrethanat e ngjarjes, tash për tash, janë të panjohura si dhe autoritetet kanë nisur hetimet për rastin.
Në një lidhje gazetari, Liridon Llozani në emisionin “Rreth e rrotull” ka shpalosur detaje nga vendi i ngjarjes, si dhe ka treguar edhe për shenjat ekzistuese të gjurmëve nga vrasja e policit.
“Prej institucioneve nuk ka pasur ndonjë informacion të detajuar për ngjarjen. As prokuroria nuk ka deklaruar diçka. Nuk ka konfirmim se a ka qenë një person a dy. Nuk dihet edhe identiteti i tyre”, deklaroi Llozani.