Zyrtarë të Listës Serbe kanë qenë prijës të procesit të nënshkrimeve për nisjen e shkarkimin të kryetarëve shqiptar në katër komunat veriore.
Madje, bënin thirrje që qytetarët të dilnin sa më shumë për të nënshkruar peticionin që kishte atë kërkesë.
Paradoksalisht, po të njëjtit tash po kërkojnë të mos ndërmerren hapat e radhës që parashihen në udhëzimin administrativ, të dilet të votohet që ata kryetarë të shkarkohen.
Veprimi aktual i Listës Serbe që bën thirrje për një bojkot të radhës, po kritikohet nga ndërkombëtarët, ani se me gjuhë të butë, duke shprehur keqardhje për këtë vendim.
“Bojkotimi i votimit të 21 prillit nuk do të sjellë këtë rezultat dhe as nuk do të sjellë ndonjë përfitim për qytetarët që jetojnë në veri. Prandaj, i bëjmë thirrje Listës Serbe dhe të gjithë të tjerëve që kanë bërë thirrje për tërheqje, të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të përdorin plotësisht mjetet demokratike në dispozicion për të avancuar demokracinë efektive dhe përfaqësuese”, kanë thënë shtetet e QUINT-it.
Po në këtë deklaratë të shteteve të QUINT-it i është bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të jetë e përgjegjshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve gjatë këtij procesi.
TV Dukagjini ka pyetur Qeverinë e Kosovës për këtë kërkesë ndërkombëtare dhe reagimin e fundit të shteteve të QUINT-it por ajo nuk është komentuar.
Në përgjigje vetëm u është bërë thirrje përsëri qytetarëve që të dalin të votojnë.
“Proceset demokratike janë gjithëpërfshirëse, andaj dhe i bëjmë thirrje Listës Serbe që të mos ushtrojë presion dhe mos të dezinformojnë qytetarët e komunitetit serb të Kosovës që duan të jenë pjesë e votimit të 21 prillit. Sot jemi në këtë situatë pikërisht për shkak të braktisjeve dhe bojkoteve që janë shkaktuar e nxitur nga Lista Serbe, me orkestrim nga Beogradi zyrtar. Me veprimet e tyre, po dëshmojnë se nuk i kanë prioritet interesat e qytetarëve, dhe nuk veprojnë aspak për të mirën e tyre. Përgjigjja meritore nga vetë qytetarët tanë në veri ndaj këtyre metodave, është përfshirja në procese demokratike dhe integrimi në institucione”, ka thënë Qeveria e Kosovës.
Ata që janë subjekt i këtij votimi, kryetarët në veri, po e quajnë edhe këtë ‘lojë të radhës të Listës Serbe’.
“Një pjesë e madhe e qytetarëve nuk i bindën Listës Serbe sepse shumica po shihen që janë keqtrajtuar, janë të bindur edhe ata tanimë që janë keqtrajtuar nga kjo parti, janë shantazhuar, janë keqinformuar dhe një pjesë e madhe nuk do i përgjigjen thirrjeve të tyre”, ka thënë Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin Potokut.
E analisti nga komuniteti serb, Brasnilav Krstiq beson “Lista Serbe” arsyetimin nuk e ka real dhe sipas tij kjo është shfaqje e tyre bashkë me Beogradin zyrtar.
“Beogradi nëse ka pas dëshirë me institu për referendumin jam i sigurt që do të kemi referendumin me 60 ose më shumë përqind të votuesve sepse Beogradi zyrtar dhe Lista Serbe i kanë mekanizmat me të cilët me vite janë duke kontrollu dhe manipulu me kosovarët me nacionalitet serb”, ka thënë Brasnislav Krstiq, analist.
Procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore në Kosovës është caktuar të mbahet me 21 prill.