Lufta Izrael – Palestinë, “shpërqendron vëmendjen e ndërkombëtarëve nga sulmi në Banjskë”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se ka rrezik në rritje të përsëritjes së sulmeve të dhunshme nga “strukturat kriminale të Serbisë në Kosovë”. Tensionet aktuale që po ndodhin në sferën e globit mund të kenë ndikim negativ në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës dhe se vendeve socialiste e komuniste u intereson që të ketë sa më shumë në botë vatra të krizës

Tensionet aktuale që po ndodhin në sferën e globit mund të kenë ndikim negativ në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.

Kështu deklaron profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, në një prononcim për Portalin Dukagjini, teksa thekson se ndonëse nuk dihen implikimet e krizave, kjo detyrimisht e shpërqendron vëmendjen e Bashkësisë Ndërkombëtare nga Kosova.

Procesi i negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të goditet nga incidentet e mëtejshme si sulmi në Banjskë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se ka rrezik në rritje të përsëritjes së sulmeve të dhunshme nga “strukturat kriminale të Serbisë në Kosovë”.

Kurti tha se qëllimi kryesor i tyre është “ta fajësojnë Policinë e Kosovës dhe ta paraqesin atë si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës”.

Paralajmërimi i kreut të ekzekutivit vjen rreth tri javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

E lidhur me këtë, profesori Arifi thotë se çdo vonim apo çdo mosavancim i Kosovës drejt integrimit evropian dhe drejt NATO-s do të jetë fatale për Kosovën.

“Është e vërtetë që të gjitha tensionet që po ndodhin në sferën e globit do të kenë ndikim negativ edhe në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, sepse duke ditur se po jetojmë në një sistem multipolar, ku kemi shumë forca në politikëbërje dhe në njëfarë mënyre ky është sistemi më jostabil që ekziston në marrëdhënien ndërkombëtare dhe rrjedhimisht duke ditur që në rajonin e Ballkanit Perëndimor ekziston një shtet me aspirata ndaj fqinjëve të vet siç është fqinji ynë verior, dhe kjo e rrit disa herë fish kërkesën për t’u kujdesur për sigurinë e vendit”, tha ai.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi

“Të gjitha këto konflikte që po ndodhin në botë e zhvendosin detyrimisht vëmendjen edhe nga sulmet terroristë edhe lirimi i kryeterroristit Radojçiq, dhe kjo në njëfarë mënyre i jep përparësi më shumë Serbisë sesa Kosovës. Kjo status quo i konvenon vetëm Serbisë”.

Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të jetë i kujdesshëm dhe ta përfundojë sa më shpejt marrëveshjen, sepse, siç thotë Arifi, fokusi qëndron diku tjetër, larg Kosovës.

“Krizat e mëdha që po ndodhin në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare, lufta në Ukrainë, tash konflikti në Lindjen e Mesme në mes të Izraelit- Hamasit dhe nuk e dimë se çfarë implikime mund të ketë në atë rajon në të ardhmen, a do të ketë implikime të tjera luftarake, kjo detyrimisht e zhvendos agjendën e Kosovës, ndoshta në pikën e fundit, prandaj edhe Perëndimi duhet të jetë shumë i kujdesshëm në këtë rast, sidomos Bashkimi Evropian që ta përfundojë marrëveshjen sa më shpejt, sepse, përndryshe, do të gjendemi në një zonë ku nuk ka më interes që të përfundojë një marrëveshje siç është ajo e Brukselit dhe e Ohrit, sepse fokusi është diku tjetër, sepse rrezikshmëria për një konflikt më të madh është diku tjetër dhe jo në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Ai thotë se kjo “status-quo” i konvenon veç Serbisë.

Profesori Arifi potencon se niveli i përgatitjes së Kosovës për t’u përballur me kriza ndërkombëtare nuk është në nivelin e duhur.

“Kjo duke nënkuptuar gjithmonë po themi si bazament apo si pikë matëse apo referuese e përgatitjes së një shteti është edhe elementi ekonomik. Duke i ditur kufizimet që i ka Kosova në këtë fushë, detyrimisht na dërgon që edhe në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë nuk është në nivelin e dëshiruar. Nuk jemi në nivelin për t’u përballur me kriza ndërkombëtare pa ndihmën e partnerëve tanë”, shtoi ai.

E në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Avni Islami, thotë se kur perëndimi dhe bota demokratike u orientua që t’i ndihmojë Ukrainës ndaj agresionit rus, Rusia, Irani, Serbia dhe Korea e Veriut që e përbëjnë një bllok kundër perëndimit ishin dhe janë të interesuar që ta shpërqendrojnë vëmendjen nga lufta Rusi – Ukrainë.

Në një prononcim për Portalin Dukagjini, Islami thekson se këtyre vendeve socialiste e komuniste u intereson që të ketë sa më shumë në botë vatra të krizës.

“Të njëjtën gjë Rusia është përpjekur që ta destabilizojë Ballkanin dhe Evropën përmes Serbisë, dhe këtë më së miri u përpoq që më 24 shtator ta destabilizojë veriun e Kosovës, në mënyrë që të shpërqendrohet vëmendja e Bashkësisë Ndërkombëtare në Ballkan, sepse një luftë në Ballkan do të thotë një luftë në Evropë. Këto janë lojëra të ndyta të Rusisë. Edhe në luftën e Hamasit, pamë dhe u argumentua nga inteligjenca ukrainase se armatimi që ishte i dedikuar për ukrainasit e që është zënë nga rusët i është dhënë Hamasit”.

Njohësi i sigurisë, Avni Islami

Megjithatë, ai vlerëson se pavarësisht krizës në Izrael e luftës në Ukrainë, SHBA-ja dhe BE-ja janë të vendosura që të mos lejojnë që në Kosovë të shpërthejë një vatër lufte.

“Sa i përket sigurisë së Kosovës, fatmirësisht në Kosovë janë të stacionuar forcat ndërkombëtare të KFOR-it, që është derivat i Aleancës Veritaltanike. Vatrat e tilla i konvenojnë Rusisë dhe Serbisë, sepse Serbia është një shtet ekspansionist, nacionalist e shovinist, që përpiqet të zë territore dhe pavarësisht asaj se çfarë ndodh në Izrael apo Ukrainë, Evropë dhe SHBA-të janë të vendosura që të mos lejojnë që në Kosovë të shpërthejë një luftë apo vatër lufte, mirëpo asnjëherë nuk duhet të neglizhohet, sepse 24 shtatori ka vë në pah që serbët janë të gatshëm që në çdo kohë të ndërmarrin hapa qoftë me luftë hibride të kombinuar, qoftë edhe me mjete ushtarake”.

Islami beson që derisa SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar bashkëpunim lidhur me hetimin për sulmin në veri, kjo, sipas tij, tregon se ato janë të vendosura që ta ndëshkojnë Serbinë.

“Pakoja ndaj Serbisë nga ana e ndërkombëtarëve është në tavolinë, dhe besoj që Serbia nuk është e gatshme që ta dorëzojë Radojçiqin i cili është i lidhur me Vuçiqin dhe që të dy ose duhet të arrestohen ose të përballen me sanksione”.

Aksionin e Policisë si përgjigje ndaj terroristëve në Banjskë, Islami e cilëson si të vetëpërmbajtur.

“Institucionet e sigurisë të Kosovës, policia në veçanti, besoj që është një ndër policitë më profesionale në rajonin e Ballkanit, kjo është dëshmuar duke iu përgjigjur aksionit terrorist, ku në mënyrë profesionale e zmbrapsi atë sulm dhe duke iu përmbajtur ligjeve dhe konventave ndërkombëtare numri i të vdekurve ka kaluar minimalisht. Besoj që policia ka mundur t’i eliminojë të gjithë terroristët, por ky nuk ishte qëllimi por që arsyeja është që t’i tregohet botës që jemi shtet serioz dhe iu përmbahemi konventave ndërkombëtare”, tha ai.

Ndryshe, Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i deriatëhershëm i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.

Kurti kujtoi veprimet e Serbisë pas sulmit, e cila shpalli ditë zie dhe i lartësoi si heronj tre sulmuesit serbë që u vranë në Banjskë, si nxitje për sulme të reja të mundshme në Kosovë.

Ai u bëri thirrje serbëve të Kosovës në veçanti “që ditëve, javëve dhe muajve në vijim, të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet e aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe”.

Ndërkaq, militantët palestinezë të Hamasit më 7 tetor nisën sulme masive nga toka, ajri dhe deti ndaj Izraelit, duke vrarë mbi një mijë persona, përfshirë fëmijë dhe të moshuar.

Palestinezët mblidhen rreth rrënojave pas sulmeve izraelite në Khan Younis. Foto: Reuters

Nga sulmet hakmarrëse izraelite në Rripin e Gazës janë vrarë të paktën 1 mijë e 700 persona, teksa Izraeli po ashtu ka ndërprerë furnizimet me ushqim, ujë dhe rrymë për këtë territor.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika