“Lufta në Ukrainë filloi me Krimenë dhe duhet të përfundojë me çlirimin e saj” kështu deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Kjo deklaratë erdhi pas një varg shpërthimesh që goditën një bazë ushtarake ruse atje.
Zelenskyy nuk i përmendi shpërthimet e së martës, por theksoi se “Krimea është ukrainase dhe ne kurrë nuk do të heqim dorë nga ajo”.
Ministria ruse e mbrojtjes ka deklaruar se municionet shpërthyen në bazë, ndërkohë Ukraina mohoi çdo përgjegjësi për shpërthimet, transmeton BBC.
Po ashtu, zyrtarët ukrainas thonë se 11 persona u vranë në sulmet ruse gjatë natës të së martës në rajonin qendror të Dnipropetrovsk dhe një tjetër në rajonin Zaporizhzhia në jug.
Krimea njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Ukrainës, por gadishulli i Detit të Zi u aneksua nga Rusia në vitin 2014 pas një referendumi të cilin komuniteti global e sheh si të paligjshëm. Shumë ukrainas e shohin këtë si fillimin e luftës së tyre me Rusinë.
Të martën, një seri shpërthimesh tronditën bazën ushtarake Saky pranë Novofedorivka, në perëndim të Krimesë, e cila është pranë vendpushimeve bregdetare të njohura nga turistët rusë.
Novofedorivka dhe Saky janë rreth 50 kilometra në veri të portit të Sevastopolit, shtëpia e flotës ruse të Detit të Zi, e cila ka udhëhequr një bllokadë të vijës bregdetare të Ukrainës.
Baza ajrore ishte përdorur nga Rusia për të nisur sulme ndaj objektivave thellë brenda Ukrainës.
Krimea njihet ndërkombëtarisht si territor ukrainas, por Rusia ka sunduar gadishullin për tetë vjet dhe strukturat shtetërore dhe objektet ushtarake ruse janë shumë të vendosura.
Çdo sulm ndaj Krimesë nga Ukraina do të konsiderohej thellësisht serioz nga Moska.
Rusia dha një paralajmërim muajin e kaluar kur ish-presidenti Dmitry Medvedev kërcënoi se “Dita e Gjykimit do të vijë menjëherë”, nëse Ukraina do të shënjestronte Krimenë.
Zelenskyy nuk iu referua shpërthimeve në fjalimin e tij të martën vonë, por foli gjerësisht për gadishullin, duke thënë, “Ne nuk do të harrojmë se lufta ruse kundër Ukrainës filloi me pushtimin e Krimesë.
“Kjo luftë ruse…filloi me Krimenë dhe duhet të përfundojë me Krimenë, me çlirimin e saj,” tha ai.
Ndryshe, të mërkurën e dhjetë gushtit, shënon dita e 168 e invazionit rus në Ukrainë.
Më 24 shkurt të këtij viti, Moska filloi ta pushtojë Ukrainën, duke përdorur Krimenë si një trampolinë për të zhvendosur trupat ruse më thellë brenda Ukrainës.