Moska po lehtëson ofensivën e saj në Ukrainë vetëm përkohësisht dhe me shumë gjasa, po përgatitet për një sulm të ripërtërirë, thonë analistët.
Të mërkurën, forcat ruse nuk arritën asnjë fitore territoriale të pretenduar ose të vlerësuar në Ukrainë “për herë të parë në 133 ditë lufte”, sipas Institutit për Studimin e Luftës, transmeton “EURONEWS“.
Grupi i ekspertëve me bazë në Uashington, sugjeroi se Moska mund të marrë një “pauzë operacionale” që nuk nënkupton “ndërprerjen e plotë të armiqësive aktive”.
“Forcat ruse ka të ngjarë të kufizohen në veprime sulmuese relativisht të vogla, ndërsa përpiqen të vendosin kushte për operacione më të rëndësishme sulmuese dhe të rindërtojnë fuqinë luftarake të nevojshme për të tentuar ato ndërmarrje më ambicioze,” ka thënë instituti.
Megjithatë, ngadalësimi i sulmit nuk do të thotë se Rusia nuk ka vazhduar me bombardimet anembanë Ukrainës, diçka që analistët pretendojnë se është përshkallëzuar javët e fundit.
Granatimet kanë vazhduar në lindje të Ukrainës, ku të paktën nëntë civilë u vranë dhe gjashtë u plagosën në 24 orë, thanë zyrtarët ukrainas.
Në përditësimin e saj të mëngjesit të së enjtes, Zyra Presidenciale e Ukrainës ka thënë se qytetet dhe fshatrat në shtatë rajone të Ukrainës u granatuan ditën e kaluar. Shumica e vdekjeve të civilëve ndodhën në provincën Donetsk, ku luftimet po vazhdojnë.
“Shtatë civilë u vranë atje, duke përfshirë një fëmijë”, ka thënë zyra presidenciale.
Ndërkaq, burime zyrtare kanë bërë të ditur se dhjetë qytete dhe fshatra u granatuan në Donetsk dhe 35 ndërtesa u shkatërruan, duke përfshirë një shkollë, një kolegj profesional dhe një spital.
Donetsk është pjesë e zonës industriale të Donbasit, ku janë përqendruar ushtarët më me përvojë të Ukrainës. Separatistët e mbështetur dhe të pajisur nga Moska kanë luftuar forcat ukrainase dhe kanë kontrolluar pjesë të mëdha të rajonit për tetë vjet.
Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi të hënën fitoren në Luhansk, provinca tjetër që përbën Donbasin, pasi forcat ukrainase u tërhoqën nga qyteti i fundit që kontrollonin atje.
Mirëpo nga ana tjetër, guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haidai, mohoi të mërkurën se rusët e kishin pushtuar plotësisht provincën.
Ushtria ukrainase ka thënë të enjten se forcat ruse kryen gjithashtu bombardime dhe sulme me helikopterë në rajonin Sumy, në verilindje.
Edhe pse luftimet vazhduan, Ministria Britanike e Mbrojtjes ka thënë se mendon se ushtria ruse po “rindërton” forcat e saj.
Një vlerësim i inteligjencës të ministrisë i lëshuar të enjten, ka thënë se bombardimi i rëndë përgjatë vijës së frontit në Donetsk ka të ngjarë të synojë të sigurojë përfitimet e mëparshme ruse.
Ministria britanike vuri në dukje një ligj të ri në shqyrtim nga parlamenti rus për t’i dhënë qeverisë kompetenca të veçanta ekonomike në mes të luftës.
“Ligji do t’i lejonte Rusisë të shmangte pranimin se është e përfshirë në një luftë ose dështimin e saj për të kapërcyer ushtrinë e Ukrainës, e cila ishte më e madhe dhe e armatosur”, ka thënë ministria.