Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të bëjë thirrje për dërgimin e më shumë armëve të rënda kur ai t’i drejtohet grupit të G7-ës.
Tashmë, në Ukrainën lindore, Rusia ka marrë kontrollin e plotë të Severodonetsk-it dhe po synon Lysychansk-in aty pranë, transmeton “BBC“.
Të dielën, Zelensky ka thënë se shtyrja e dërgesave të armëve ishte “një ftesë për Rusinë për të goditur përsëri”.
Përmes fjalimit të tij të transmetuar në video, ai ka bërë thirrje për ofrimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe sanksione të reja ndaj Rusisë.
“Partnerët duhet të lëvizin më shpejt nëse janë vërtet partnerë, jo vëzhgues”, ka thënë presidenti ukrainas.
Lufta në Ukrainë është në krye të agjendës së këtij viti të G7-ës dhe kombet pritet të premtojnë mbështetje të mëtejshme ushtarake për Kievin dhe më shumë sanksione ndaj Moskës.
Çfarë është samiti ekonomik “G7”, dhe të rejat e takimit të këtij viti?
Udhëheqësit perëndimorë po përpiqen të paraqesin një front të bashkuar, me kancelarin gjerman, Olaf Scholz i cili ka thënë se sulmet me raketa ruse treguan se ishte “e drejtë të qëndronim së bashku dhe të mbështesim ukrainasit”.
Pak ditë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA), Joe Biden kishte thënë se presidenti rus, Vladimir Putin po llogariste që NATO dhe G7 të ndahen, duke theksuar që një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Redaktori politik i BBC-së, Chris Mason, ka raportuar se disa zyrtarë të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar kanë frikë se Franca në veçanti, po humbet oreksin e saj për ngadalësimin afatgjatë të luftës, ndërsa presioni i brendshëm politik rritet.
G7-ta ka detajuar planin prej 600 miliardë dollarësh për të rivalizuar Brezin dhe Rrugën e Kinës.
Samiti i G7-të në Bavari do të pasohet nga një takim i NATO-s në Spanjë, më vonë gjatë javës, në të cilin pritet të flasë edhe Zelensky.
Udhëheqësit e G7-ës pritet të ofrojnë më shumë mbështetje dhe sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë. Por edhe Boris Johnson, një nga mbështetësit më të zëshëm të Zelensky-it pranon se mbrojtja e sovranitetit të Ukrainës ka pasoja të rënda për pjesën tjetër të botës, veçanërisht kostot në rritje të ushqimit dhe energjisë.
Kjo është arsyeja pse liderët e Afrikës së Jugut, Indonezisë, Indisë dhe Senegalit janë ftuar të bashkohen në samit, për të diskutuar se çfarë mund të bëhet më shumë për të trajtuar inflacionin global. Një ide që po shqyrtohet është kufizimi i çmimit të naftës ruse.
Sulmet raketore të Rusisë kishin në shënjestër Kievin. Sulmi në distriktin Starychi në Lviv ishte vetëm 30 km (19 milje) nga kufiri me Poloninë e cila është anëtare e NATO-s.
Ministria ruse e mbrojtjes ka thënë se armët me precizion të lartë kishin goditur qendrat e trajnimit të ushtrisë ukrainase dhe mohuan të kenë goditur objektiva civilë.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaliy Klitschko ka thënë se sulmet ishin një përpjekje për të frikësuar Ukrainën përpara samitit të G7-ës.
Në samitin e radhës të G7 do të diskutohen problemet globale
“Grupi Shtatë” është një grup që përfshin Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Italinë, Japoninë, Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Ky grup, i njohur dikur si “G8-ta” kishte si pjesë të saj edhe Rusinë nga viti 1998 deri më 2014, mirëpo Rusia u përjashtua për shkak të aneksimit të Krimesë.