Lulëkuqja, simbol i gjenocidit në Kosovë, intervistë me Adnan Asllani

Intervistë me Adnan Asllani, zëvendëskryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë - Plagë e Hapur”

Zëvendëskryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Adnan Asllani,  në një intervistë për Portalin Dukagjini, ka treguar për fushatën me simbolin e  lulëkuqes. Ai ka thënë se këtë janë duke e bërë që të mos e harrojnë gjenocidin e aparatit shtetëror të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Sipas Asllanit, lulëkuqja përmban disa simbolika që paraqesin vuajtjet e popullit shqiptar, të cilat janë shkaktuar nga regjimi serb i asaj kohe.

Adnan Asllani

“Katër petalet e lulëkuqes përbëjnë katër format e gjenocidit në Kosovë: vrasjet, spastrimi etnik, dhuna seksuale dhe shkatërrimi i objekteve të banimit, atyre kulturore e fetare që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar shqiptar. Në vend të kokrrave të zeza të lulëkuqes, në simbolin tonë janë vendosur figura njerëzish të moshave e gjinive të ndryshme, viktima të gjenocidit, të cilët janë të vendosur në formë rrethi, që do të thotë se ata janë në vuajtje të përhershme dhe kërkojnë drejtësi”.

“Petalet e lulëkuqes janë vendosur në formë të shkronjës X, meqenëse në shumë vendbanime të Kosovës ku popullata ishte e përzier, forcat serbe kishin bërë me ngjyrë në formë të X-it në dyert e shqiptarëve, në mënyrë që të udhëzoheshin se ku duhet të kryheshin krimet”.

 

Lulëkuqja e cila simbolizon gjenocidin në Kosovë

“Nuancat e ngjyrës janë pikërisht ato që ka edhe flamuri ynë kombëtar, për të treguar se qëllimi i Serbisë ka qenë shkatërrimi i shqiptarëve. Petalet e lulëkuqes janë prerë në atë formë që të pasqyrojnë faktin se kemi të bëjmë me një plagë të hapur, e cila do të mbyllet vetëm me arritjen e drejtësisë për viktimat”, ka sqaruar ai.

Përveç këtyre simbolikave, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, sipas Asllanit, e ka ndërmarrë këtë fushatë duke u frymëzuar nga populli armen, i cili pas 100 vjetësh ka arritur që gjenocidin që Perandoria Osmane e kishte kryer mbi ta, t’ua njohë bota.

“Dua të veçoj armenët, të cilët edhe pas më shumë se njëqind vjetësh kanë arritur të vendosin në tavolinat e shteteve demokratike dhe sot shumë prej tyre gjenocidin të cilin e ka shkaktuar Perandoria Osmane më 1915, e kanë njohur edhe zyrtarisht”, ka theksuar zëvendëskryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Adnan Asllani.

 

Intervista e plotë me Adnan Asllani, zëvendëskryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur.

Dukagjini: Cili është qëllimi i Qendrës ” Gjenocidi, në Kosovë – Plagë e Hapur”?

Asllani: Bilanci i luftës së fundit në Kosovë është shumë tragjik. Forcat serbe kanë vrarë mbi dhjetëmijë civilë shqiptarë, kanë dëbuar shumicën e popullsisë shqiptare nga Kosova, me ç’rast në të shumtën e rasteve atyre u janë shkatërruar dokumentet e identifikimit, janë dhunuar seksualisht mbi njëzetmijë shqiptarë si dhe janë shkatërruar me qindra-mijëra objekte banimi, shkolla, institucione shkencore, kulturore e fetare, që kanë të bëjnë me identitetin dhe trashëgiminë kulturore shqiptare. Të gjitha këto veprime janë bërë me qëllim që shqiptarët e Kosovës të shkatërrohen si të tillë, si grup etnik e kulturor i ndryshëm nga serbët.

Nëse e marrim secilin nga këto katër segmente të krimeve të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës, do të konstatojmë se kemi të bëjmë me krimin e gjenocidit, të dënueshëm sipas dokumenteve që qëndrojnë në themelet juridike të së drejtës ndërkombëtare. Qëllimi ynë kryesor është sensibilizimi i opinionit vendas dhe atij ndërkombëtar deri në arritjen e drejtësisë. Konsiderojmë se kjo është një çështje e rëndësishme dhe humane, sepse pa arritjen e drejtësisë, bota do të japë një shembull të keq të mosndëshkimit të krimit, duke qenë se edhe vetë është dëshmitare e këtij krimi që ka ndodhur te ne.

Dukagjini: Nga ka ardhur kjo ide?

Asllani: Ne kemi marrë shembull veprimin e popujve të tjerë, të cilët kanë pasur sukses në sensibilizimin e opinionit për gjenocidin që u ka ndodhur atyre. Dua të veçoj armenët, të cilët edhe pas më shumë se njëqind vjetësh kanë arritur të vendosin në tavolinat e shteteve demokratike dhe sot shumë prej tyre gjenocidin të cilin e ka shkaktuar Perandoria Osmane më 1915, e kanë njohur edhe zyrtarisht.

Jemi në rrethana të reja ku komunikimi zhvillohet me shpejtësinë e paimagjinueshme më parë. Prandaj jemi të bindur se nëse arrijmë të mobilizohemi si komb, e vërteta jonë nuk do të presë një shekull për të dalë në shesh në përmasat e saja tragjike. Mirëpo realizimi i një qëllimi të tillë, varet në një masë të madhe, prej nesh dhe nga gatishmëria jonë që t’i mobilizojmë të gjitha resurset dhe potencialet që kemi si komb qoftë në rrafshin politik të institucioneve shtetërore, qoftë të shoqërisë civile.

Ideja për të pasur lulëkuqen me katër petale si simbol zyrtar i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë është në funksion të një konsensusi të përgjithshëm, si parakusht që të veprohet me një platformë unike edhe në rrafshin ndërkombëtar. E kur jemi te lulëkuqja që kemi propozuar për simbol të përkujtimit të gjenocidit, më duket e rëndësishme të sqaroj: Katër petalet e lulëkuqes përbëjnë katër format e gjenocidit në Kosovë: vrasjet, spastrimi etnik, dhuna seksuale dhe shkatërrimi i objekteve të banimit, atyre kulturore e fetare që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar shqiptar. Në vend të kokrrave të zeza të lulëkuqes, në simbolin tonë janë vendosur figura njerëzish të moshave e gjinive të ndryshme, viktima të gjenocidit të cilët janë të vendosur në formë rrethi që do të thotë se ata janë në vuajtje të përhershme dhe kërkojnë drejtësi. Petalet e lulëkuqes janë vendosur në formë të shkronjës X, meqenëse në shumë vendbanime të Kosovës ku popullata ishte e përzier, forcat serbe kishin bërë me ngjyrë në formë të X-it në dyert e shqiptarëve, në mënyrë që të udhëzoheshin se ku duhet të kryheshin krimet. Nuancat e ngjyrës janë pikërisht ato që ka edhe flamuri ynë kombëtar për të treguar se qëllimi i Serbisë ka qenë shkatërrimi i shqiptarëve. Petalet e lulëkuqes janë prerë në atë formë që të pasqyrojnë faktin se kemi të bëjmë me një plagë të hapur e cila do të mbyllet vetëm me arritjen e drejtësisë për viktimat. Ndonëse edhe popujt e tjerë e përdorin lulëkuqen për të kujtuar të rënët në luftëra, ne jemi përcaktuar për lulëkuqen, sepse edhe në bazë të shpjegimit të mësipërm ajo përmbushte më së miri në të gjitha dimensionet e krimit të gjenocidit në Kosovë.

Pamje nga fushata e “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” për senzibilizimin e gjenocidit serb mbi shqiptarët e Kosovës

Dukagjini: Sa keni arritur ta jetësoni qëllimin e kësaj kauze?

Asllani: Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” është themeluar më 30 qershor 2019. Në kohën kur ne ishim duke bërë konsultat dhe përgatitjet për themelimin e kësaj organizate, kryetari i Qendrës, Bardhyl Mahmuti, u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të miratuar rezolutën, përmes së cilës, krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë, Kuvendi i Kosovës edhe zyrtarisht t’i cilëson si gjenocid. Në këtë drejtim kemi dhënë kontributin tonë që pas 20 vjetësh nga përfundimi i luftës, Kosova të ketë një qëndrim zyrtar të emërimit të krimeve që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Mirëpo, nuk bën të harrojmë se merita u takon atyre deputetëve që punuan intensivisht për miratimin e asaj rezolute. Sa i përket ndriçimit të krimit të gjenocidit, qendra ka shpërndarë falas veprën “Mashtrimi i madh” i autorit Bardhyl Mahmuti, dhe krahas punës që kanë bërë disa diplomat të Kosovës, sot ky libër për të vërtetën e gjenocidit në Kosovë është në bibliotekat e universiteteve më prestigjioze në botë dhe të shumë personaliteteve politike dhe mediatike në botë. Edhe pse ishim në kohë të pandemisë me COVID 19, ne arritëm të bëjmë publikim e doracakut “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”, të autorit Bardhyl Mahmuti, për të sqaruar terminologjinë lidhur me krimin e gjenocidit dhe dy vepra nga fusha e letërsisë, por që temë kanë gjenocidin në Kosovë (Përmbledhja me poezi “Dritë mbi plagë-sprovë për antologji” me autorë të shquar të poezisë shqipe dhe romani “Eskadronët e vdekjes” e autorit Bardhyl Mahmuti). Me ndihmën e anëtarëve dhe simpatizantëve të qendrës, ky roman është ribotuar dhe shpërndarë me mijëra kopje falas, dhe deri tani është përkthyer në anglisht, spanjisht e turqisht, ndërsa është në përfundim të përkthimit në gjermanisht e frëngjisht. Këto publikime kanë vlerën e vet, sidomos në kohën kur Serbia ka bërë investime të mëdha për të përmbysur të vërtetën e asaj që ka ndodhur në Kosovë dhe nga xhelati të shndërrohet në viktimë.

Ndërsa aktualisht jemi mobilizuar që të realizojmë kërkesën për të pasur simbolin unik të përkujtimit të gjenocidit, që më 15 janar, në ditën e përkujtimit të gjenocidit në Kosovë, të jemi unikë edhe në aspektin e simbolit, që pasqyron në mënyrë më gjithëpërfshirëse tragjedinë tonë kombëtare të shkaktuar nga Serbia.

Dukagjini: A keni marrë përkrahje nga shteti i Kosovës?

Asllani: Ne jemi një organizatë joqeveritare dhe veprimtarinë tonë e koncentrojmë kryesisht në forcat tona. Nuk kemi kërkuar asnjë ndihmë nga institucionet shtetërore dhe të gjitha shpenzimet i kemi mbuluar falë mbështetjes së veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare që janë në diasporë, të cilët nuk kanë kursyer dhe nuk kursejnë asgjë për punët që shkojnë në interes të kombit.

Nga ana tjetër, kur Qeveria e Kosovës doli me qëndrimin të përgatiten materialet e nevojshme për padinë kundër Serbisë për krimin e gjenocidit, ne e kemi mbështetur publikisht dhe kemi shprehur gatishmërinë që të japim kontributin tonë për këtë çështje. Kemi bindjen e fortë se Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” do të gjejë mbështetjen e nevojshme për të vazhduar veprimtarinë e saj rreth qëllimeve që ia ka përcaktuar vetes.

Pamje nga fushata e “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” për senzibilizimin e gjenocidit serb mbi shqiptarët e Kosovës

Dukagjini: A është mirëpritur nga qytetarët e Kosovës kjo iniciativë?

Asllani: Që nga 16 nëntor 2022, kur dorëzuam kërkesën në institucionet e Kosovës, propozimi për lulëkuqen është mirëpritur nga shumë qytetarë të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë, Luginës së Preshevës, Malit të Zi dhe diasporës. Kemi marrë me mijëra përkrahje,, qoftë nëpërmjet postës elektronike, rrjeteve sociale apo telefonatave dhe shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë. Çdo përkrahje ka vlerë të madhe për ne, për këtë intervistë do të përmendja mbështetjen që na kanë dhënë akademik Rexhep Qosja, shkrimtarët: Virion Graçi, Besnik Mustafaj, Bedri Islami, Namik Dokle, Adem Gashi, Majlinda Sinani Lulaj etj. Artistët: Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Genc Prelvukaj, Hysni Klinaku, Elita 5 etj; nga Vasfije Krasniqi, viktimë dhe e mbijetuar e gjenocidit, nga Teuta Elshani, vajza e shkrimtarit Ymer Elshani, i cili u ekzekutua së bashku me nënën e vet, gruan dhe katër djemtë; Profesori i historisë së artit Hivzi Muharremi, Shukrije Ramadani (bashkëshortja e heroit Agim Ramadani), nga Instituti i Historisë e shumë institucione tjera si dhe shoqata kulturore. Pastaj nga Nisma Socialdemokrate, Lëvizja për Bashkim, Partia Socialdemokrate dhe shumë deputetë të forcave politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Duke i parë përmasat e mbështetjes që ka gjetur kërkesa jonë, në rrafshin politik kuvendet komunale të disa komunave në Kosovë kanë mbështetur dhe kanë kërkuar nga institucionet qendrore të miratojnë kërkesën për lulëkuqen si simbol unik i gjenocidit në Kosovë. Deri tani një mbështetje e tillë është bërë nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, Ferizajt dhe Mitrovicës dhe jemi në dijeni se para vitit të ri edhe një numër i konsiderueshëm i komunave të tjera do ta mbështesin iniciativën tonë.

Gjithashtu, jemi në dijeni se në nivel qendror është marrë iniciativë që kjo kërkesë të shtrohet në Kuvendin e Kosovës. Urojmë që më 15 janar, në ditën e përkujtimit të gjenocidit, të përcjellim mesazhin unik se ne të mbijetuarit e atij gjenocidi, nuk do t’i harrojmë kurrë krimet që i ka bërë Serbia kundër popullit tonë dhe se do të jemi unikë në ndriçimin e plotë të këtij krimi monstruoz.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika