Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili gjatë ditës së sotme(e enjte) ka folur për një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe PDK-në për ta marrë me rotacion pozitën e kryeministrit.
Lushtaku përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka përfunduar koha kur partitë e vogla e kanë parë karrigen e kryeministrit si dhuratë.
“Koha kur partitë e vogla e shihnin karrigen e Kryeministrit si dhuratë me rrotacion ka përfunduar. Kosova nuk ka nevojë për eksperimente politike dhe premtime boshe”, ka shkruar Lushtaku.
Sipas tij, është koha që Kosova të drejtohet nga Bedri Hamza.
“Është koha për një udhëheqje që sjell stabilitet dhe zhvillim të vërtetë ekonomik, për arsim cilësor dhe sistem shëndetësor që vendos qytetarin në qendër. Me Bedri Hamzën, ndryshimi i vërtetë është i mundur. Ai nuk premton kot, por punon për një Kosovë të drejtë dhe të fortë. Kosova meriton ma mirë!”, ka shkruar Lushtaku.