Jehona Lushaku – Sadriu, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në një konferencë për media për rezultatet e testit “PISA 2022”, ka thënë se të dhënat janë shqetësuese.
“Të dhënat janë tepër shqetësuese ku nxënësit e Kosovës, 15-vjeçarët, tregojnë performancë të dobët në lexueshmëri, matematikë dhe në shkencë. Këto rezultate janë shqetësuese jo vetëm për Ministrinë, janë shqetësuese për shkollat edhe për përfitimet që i kanë nxënësit”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Lushaku – Sadriu ka thënë se këtu shohim një dështim në strukturën e bashkorganizimit të testit PISA.
“MAShTI ka dështuar si Ministri që t’i adoptojë rrethanat ku nxënësit kosovarë do të tregonin performancë më të mirë… Kalueshmëria është shumë e dobët në testet kombëtare dhe këtu flasim për një dështim të MAShT-it në organizimin e testeve tona kombëtare, çka flet se është në diskrepancë me atë që sistemi arsimor dhe mënyra se si realizohet forma e testimit”, ka thënë deputetja e LDK-së.
Mes tjerash, ajo është shprehur se arsimi nuk është prioritet i Qeverisë aktuale.
“Duhet të shohim se çka bën MASHT sot. Arsimi s’është prioritet i kësaj Qeverie. VV ka bërë thirrje për seanca të jashtëzakonshme. Pikërisht është VV që nuk tregon as kujdesin minimal sa i përket arsimit. Ju e keni parë që dy vitet e fundit arsimi në Kosovë ka filluar në mënyrë krejt dramatike. Fillimisht, mandati i kësaj ministre ka filluar me shkelje kushtetuese, aty kemi kërkuar shkarkimin e saj”, ka shtuar deputetja nga radhët e LDK-së.
Në rezultatet e publikuara të testit “PISA 2022”, të martën e pesë dhjetorit, Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë.
Lexo dhe: “PISA 2022”: Kosova, pothuajse në fund për lexim e shkencë
Në matematikë, Kosova është në vendin e 74 nga 80 vende pjesëmarrëse, me 11 pikë më pak krahasuar me vitin 2018.
Lidhur me këtë çështje, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka deklaruar se këto rezultate ishin të pritshme, sipas saj, duke i marrë parasysh sfidat e mësimdhënies gjatë periudhës së pandemisë.
Nagavci ka thënë se situata pas pandemisë ishte e vështirë për nxënësit, duke përcaktuar rënien e pikëve nga 12 deri në 6, në krahasim me vitin 2018, kur është mbajtur për herë të fundit.
Lexo dhe: Rezultatet e dobëta të “PISA 2022”, Nagavci thotë se janë të pritshme pas pandemisë
Ministrja e këtij dikasteri gjithashtu ka bërë të ditur se disa komuna ende nuk kishin arritur t’i plotësonin detyrimet e tyre dhe se për t’iu kundërvënë kësaj sfide, janë ndërmarrë masa shtesë mësimore për fëmijët.
“Në testin pista nga Kosova kanë marrë pjesë gjithsej 6 mijë 27 nxënëse nga 220 shkolla, rezultatet të cilat janë bërë publike sot kanë qenë të pritshme, duke pasur parasysh që u organizua në pranverë te vitit 2022, kemi pasur një situatë menjëherë pas pandemisë kur mësimi u zhvilluar nga distanca dhe me ndërprerje ka qenë e pritshme edhe nga raportet vendore, por edhe nga studimet e ndryshme ndërkombëtare për shkak të situatës së pandemisë nxënësit kanë pasur rënie dhe këto janë studiuar në testime të ndryshme, të vetëdijshëm për humbjet e shkaktuara nga pandemia, me të marrë detyrën kemi bërë edhe mësimin shtesë për fëmijët tonë, jo të gjitha komunat e kanë plotësuar”, ka deklaruar Nagavci në konferencën për media.