Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për Buxhetin e vitit 2025, duke e quajtur atë një planifikim të dështuar që nuk sjell përfitime për qytetarët.
“Fjalimet populiste nuk po i ngopin qytetarët dhe nuk po e parandalojnë migrimin”, ka deklaruar Lushtaku, duke theksuar se Qeveria Kurti ndryshon qëndrim për paga varësisht nga interesat zgjedhore.
“Vitin e kaluar thoshte që s’mundemi me i rritë pagat, ndërsa këtë vit i rrit për zgjedhje, duke ia vënë çmimin votës”, është shprehur ai.
Sipas tij, buxheti i propozuar nuk ka ndonjë vizion zhvillimor dhe, për këtë arsye, PDK-ja ka vendosur të mos e mbështesë.
“Ky është një buxhet i mbijetesës, aspak zhvillimor dhe qytetarët nuk do t’ia shohin hairin”, ka potencuar Lushtaku, duke shtuar se investimet kapitale janë të pamjaftueshme për të sjellë zhvillim.
Lushtaku paralajmëroi se buxheti i këtij viti mund të ketë jetë të shkurtër, pasi sipas tij, pas “9 shkurtit do të vijë një qeveri e re”.