Ish-drejtoresha e FES, Besa Luzha ka thënë se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është treguar i suksesshëm duke insistuar deri në pikën kur aneksi i planit evropian të ishte i dakordueshëm për të.
E ftuar në edicionin special të RTV Dukagjini për zhvillimet në Ohër të Maqedonisë, Luzha ka thënë se për një dakordim nga ana e Kurtit, BE-së iu desh kohë.
“Te Kurti u desh goxha kohë që BE dhe partnerët ndërkombëtarë të arijnë deri në një pikë ku do të dakordohej Kurti. Me aq sa kam lexuar këtë situatë, kryeministri Kurti ka pasur shumë kujdes dhe ka insistuar në shumë gjëra gjatë procesit, dhe e gjithë kjo mund të jetë e mundshme me kushtin që do të ketë marrëveshje finale”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka thënë se duket se deri Kurti sqaroi pjesët e veta, erdhi edhe një deklaratë e Lajçakut gjatë vizitës së tij se e kishte më të qartë situatën dhe kërkesat e tij.
“Në momentin kur u sigurua nga garancitë dhe nga administrata amerikane…që nuk kërkon Amerika diçka nga Kosova që është kundër Kushtetutës dhe pavarësisë…atëherë duket se zoti Kurti u lirua nga ngarkesa dhe dha një dakordim”, gjersa thekson se një hezitim ishte parë nga ana e Vuçiqit.
Ndër të tjera, Luzha ka thënë se Kurti ka një përgjegjësi për të gjithë dhe, si rrjedhojë, duhet të ecë përpara.
Takimi i shumëpërfolur i nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të zhvillohet sot, e shtunë, në Ohër të Maqedonisë.
Që të dy protagonistët tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim dhe të njëjtit pritet të zhvillojnë takime individuale me ndërmjetësuesit. Ndërkaq, takimi trilateral do të nisë me fillim nga ora 13:30.