Ish-drejtoresha e FES, Besa Luzha, ka thënë se në takimin në Bruksel mes zëvëndëskryeministrit Besnik Bislimi dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do të duhej të bisedohen pikat më urgjente që kanë të bëjnë me planin e zbatimit.
Sipas Luzhës, pikat më urgjente që duhet të sqarohen janë rikthimi dhe riorganzimi i strukturave në veri si policia, dogana, gjyqësia, dhe të diskutohet për organizimin e zgjedhjeve në veri.
Aktivistja ka shtuar se në bazë të planit të zbatimit duhet të bëhet dhe njëlloj plani i veprimit, sa i përket Asociacionit, “në kuptimin që të ndërtohet njëlloj afatizimi kohor se kur do të themelohet grupi menaxhues”.
Ndërsa për diskutimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës në Beograd, Luzha ka thënë se nuk mund ta konsiderojë si dobësi.
“Gjithmonë kam qenë pro dialogut, … ne mund të kthehemi prapa dhe sigurisht që ka gabime në veprime dhe hapa, të cilat ndoshta e kanë keqësuar gjendjen. Por, edhe mos të kishin pasur ato veprime, të cilat e lanë veriun në një mënyrë pa asnjë strukturë, ata ishin të gatshëm, por ne u japëm rastin të largoheshin nga institucionet, ata do të gjenin formë tjetër”, ka shtuar Luzha në emisionin “FIVE” të RTV Dukagjini.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, janë takuar këtë të martë në Bruksel, për të diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.