Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka njoftuar se ka dorëzuar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kundërshtuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje.
Sipas njoftimit të LVV-së, vendimi për certifikimin e Listës Serbe është marrë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe pa miratimin e anëtarëve të KQZ-së.
“Ditë më parë KQZ-ja në mënyrë të paprecedent dhe në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, e lejoi Listën Serbe që të marrë pjesë në zgjedhje. Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dorëzuar përmes postës ankesë në PZAP kundër vendimit për certifikimin e Listës Serbe në emër të KQZ-së, me kërkesën për anulimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
Më tej, LVV deklaron se vendimi për certifikimin e Listës Serbe është një tjetër sulm ndaj rendit ligjor në vend.
“Secili vendim i KQZ-së duhet të miratohet me votim nga anëtarët e saj. Ky vendim nuk është i KQZ-së, pasi nuk është votuar. Është i paligjshëm dhe bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, thuhet në deklaratë.
Lista Serbe është certifikuar nga KQZ-ja për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, në mbledhjen e mbajtur të martën.