LVV: ShBA përsëriti qëndrimin që dialogu me Serbinë të përfundojë me njohje reciproke

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me vizitën e kryeministrit Albin Kurti dhe dresidentes Vjosa Osmani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës , në reagimin e tyre thuhet se ShBA ka kërkuar që dialogu të prodhojë njohjen

Lëvizja Vetëvendosje

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsërisin qëndrimin se dialogu Kosovë – Serbi duhet të përfundojë me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes”.

Kështu thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me vizitën e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku u pritën në takim nga Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken.

“Në qendër pra e jo në fund. Në qendër të marrëveshjes njohja reciproke e jo asociacioni. Në qendër njohja e jo kompromisi. Kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi ka mbajtur këtë qëndrim që më pas u përkrah edhe nga presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken”, thuhet në reagimin e tyre.

Çka u diskutua në takimin Blinken-Osmani-Kurti?

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pritën në takim nga Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken.

Anëtarësimi i Kosovës në Programin Partneriteti për Paqe të NATO-s, si dhe ngritja e aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë së Kosovës, ishin temë diskutimi për të cilën u tha se do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë të mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Temë diskutimi ishte edhe rëndësia e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.

“Në takim u ritheksua që Republika e Kosovës deri më tani është angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut, dhe se është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Kryeministri Kurti ka potencuar se Kosova “është rrëfim suksesi i dyfishtë, i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit dhe ndërhyrjes së NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë, dhe së dyti, është rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë me zhvillimin ekonomik”.

U bisedua për qeverisjen e mirë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen sociale si përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë me ShBA-në në NATO, u theksua se mbrojtja është një fushë në të cilën Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin.

Në takim u diskutua edhe për demokratizimin e rajonit si dhe fuqizimin e aleancave vlerore e politike për t’u ballafaquar me ndikimet dhe rreziqet që i kanosen rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika