“Nga ora 13:00, kanë ardhur tetë punëtorë të sigurimit me dy vetura, prezent ishte vetëm nëna, baba ishte dalë nuk ishte aty. Në mesin e tyre ka qenë Xhavit Kuçi, Blerim Olloni, Lutfi Ajazi, Rifat Berisha, Fadil Hoti…”, kështu u shpreh për momentin e bastisjes së shtëpisë së saj, ish-e burgosura politike, Naime Maçastena-Sherifi.
Ajo ka treguar se gjatë bastisjes së shtëpisë, prezent ka qenë vetëm nëna e saj dhe në ato momente babai i saj nuk ka qenë aty.
“Morën qa morën, bastisën shtëpinë edhe më morën mua me vete”, ku nga aty e kanë dërguar në Sigurimin shtetëror”, deklaroi Maçastena-Sherifi.
Kushtet e paraburgimit ishin të mjerueshme dhe ajo përjetoi tortura fizike dhe psikologjike të vazhdueshme, përfshirë rrahjet dhe pagjumësinë.
Maçastena tregoi se gjatë paraburgimit u përball me tortura të rënda nga Zymer Zymeri, Lutfi Ajazi, Blerim Olloni, dhe Bajram Munishi.
Ajo përmendi se ligjet e kohës parashikonin që fëmijët nuk mund të merren në pyetje pa praninë e prindit apo kujdestarit nga qendra për punë sociale, por në realitet kjo nuk respektohej.
Asnjëherë nuk kishte praninë e një punëtori social ose të prindit gjatë marrjes në pyetje, duke theksuar se prindërit nuk lejoheshin të ishin prezentë.