Sigurinë e qytetarëve të Kosovës e edhe krerëve të saj se për udhëtimet në BE, nuk do të kenë më nevojë për viza, presidenti i Francës e luhati veç me një deklaratë.
Një ditë më parë në fjalën e tij para ambasadorëve, Emanuel Macron ka deklaruar se politikat e vizave e ato ekonomike do të rishikohen po që se palët dështojnë të sillen me përgjegjësi, duke iu referuar Kosovës e Serbisë.
Ky kërcënim është mjaft serioz për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare Dritëro Arifi, i cili shprehet se Kosova duhet t’i kryejë urgjentisht detyrat e shtëpisë.
“Është shumë me rëndësi kush e thotë edhe çka thotë, dhe kur e analizojmë që Presidenti i Francës, Franca është një prej vendeve udhëheqëse të Bashkimit Evropian, dhe një prej vendeve vendimmarrëse në çdo proces si për viza si për anëtarësim si për çdo gjë tjetër, atëherë është më shumë se serioze. Prandaj duhet marrur shumë seriozisht. Nuk po flas për palën tjetër, po flas për palën kosovare. Duhet shumë seriozisht të merret ky paralajmërim jo i mirë dhe jo në kohën e duhur, sepse Kosova veçse është në sanksione”, ka thënë Arifi.
Rishikimi i çështjes së vizave për Kosovën është krejt i mundur edhe sipas ligjëruesit Universitar, Abit Hoxha.
“Mendoj se mesazhi është i qartë nga presidenti Macron, për shkak se mesazh i dërgohet Kosovës më shumë se Serbisë, për shkak se Kosova deri më tani nuk ka mund ta komunikojë mirë, këtë ndryshimin e politikave për veriun e vendit dhe në raport me Serbinë. Kosova duhet të vazhdojë me punën që i takon, me krijimin e asociacionit numër një dhe numër dy me integrimin e veriut në strukturat e shtetit të Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Mirëpo mendim të kundërt ka drejtori i Institutit Epik, Demush Shasha. Ai kërkon që kjo deklaratë mos të merret seriozisht, përderisa të mos vijë prej Komisionit Evropian.
“Pezullimi i liberalizimit të vizave është akt ekstrem që merret në raste ekstreme. Për shembull Rusisë iu pezullua vetëm pasi që pushtoj Ukrainën. Vanautusë iu pezullua vetëm pasi që refuzoj me kokëfortësi të ndal skemën e “pasaportave të arta”. Serbisë nuk iu pezullua liberalizimi përkundër që u shndërrua në portën kryesore të migrimit ilegal në BE. Çfarë dua të them është se standardi i pezullimit te liberalizimit të vizave është shumë shumë i lartë. Ne sot jemi shumë larg këtij standardi”, është shprehur Shasha.
20 prilli i këtij viti ka shënuar fundin e betejës për të fituar liberalizimin e vizave, ku parashihet që më së voni nga 1 janari i vitit 2024 qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza në cilindo nga shtetet anëtare të zonës “Schengen”.