Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili ka mbërritur në Pekin për një vizitë zyrtare triditore, në një konferencë për media ka thënë se kushdo që ndihmon Rusinë “agresore” në konfliktin e Ukrainës do të bëhet “bashkëpunëtor”.
“Ne kemi vendosur që në fillim të konfliktit të ndihmojmë viktimën dhe gjithashtu e kemi bërë shumë të qartë se kushdo që ndihmon agresorin do të ishte bashkëpunëtor në shkeljen e ligjit ndërkombëtar”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, lideri francez ka shtuar se nuk ishte në interesin e Kinës që t’i siguronte armë Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës.
“Interesi i Kinës nuk është të ketë një luftë të qëndrueshme”, është shprehur ai, raporton The Guardian.
Sipas tij, Kina ka një “rol të madh” në gjetjen e një rruge drejt paqes në Ukrainë.
Duke folur në një mbledhje të komunitetit francez në Pekin, para takimit me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, Macron, ka thënë se Franca po kërkon të punojë me Kinën “në këtë përgjegjësi të përbashkët për paqen dhe stabilitetin” në Ukrainë.
Veç Macronit, në takimin e nesërm me Xi do të marrë pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ata pritet të takojnë edhe kryeministrin kinez, Li Qiang, ndërsa mbrëmjen e 6 prillit do të marrin pjesë në një darkë shtetërore.
Diskutimet midis Macron, Xi dhe Von der Leyen do të fokusohen kryesisht në tregti, luftën në Ukrainë dhe ndryshimet klimatike.
Kujtojmë se, të martën, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka kritikuar Kinën për mbështetjen e Rusisë gjatë kohës së pushtimit të paprovokuar të Ukrainës dhe e quajti atë “një shkelje flagrante” të angazhimeve të Pekinit ndaj Kombeve të Bashkuara.
Ndërsa, Von der Leyen e paralajmëroi në fund të marsit Pekinin se qasja e tyre ndaj pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia do të jetë faktor vendimtar në formësimin e marrëdhënieve mes Kinës dhe Evropës.
Edhe pse Pekini thotë se mban qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë, vizita e Xi me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë dy javë më parë, dërgoi një mesazh partneriteti mes dy vendeve.
Në vitin 2022, Kina ishte partneri i tretë më i madh i BE-së në eksportet e mallrave dhe partneri më i madh për importet e BE-së.