Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Macroni theksoi se është i lumtur që ndodhet në vendin tonë duke shtuar se vizita e tij është korrigjim i historisë, duke qenë se asnjë president francez nuk ka qenë më parë në vendin tonë.
Mes tjerash, ai nënvizoi se Franca do të angazhohet në ecurinë e Shqipërisë, por jo vetëm.
“Jam i lumtur që jam këtu, në një moment kaq të vështirë për Evropën tonë, që i është nënshtruar rikthimit të luftës në territorin e saj me atë që po përjeton Ukraina, me rikthimin e terrorizmit në vendin tonë. Brukseli u sulmua mbrëmë dhe dy shtetas suedezë u prekën nga ky sulm terrorist. Tani po mendoj për ta”, ka thënë ai.
Tutje, Macroni ka shtuar se “të jem në krahun e tuaj sot do të thotë që të shënoj një formë riangazhimi të Francës në vendin tonë dhe në rajon. Ishte një gabim i thellë që prej vitit 1912 asnjë president francez nuk ka ardhur në vendin tuaj. Ishte momenti për ta bërë. Kjo vizitë zyrtare ishte një rregullim i gabimit”.
Gjatë ditës së dytë të vizitës të presidentit francez, Emmanuel Macron, në Tiranë janë nënshkruar disa marrëveshje ekonomike dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.
Marrëveshjet e firmosura
- Udhërrëfyes për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Francës.
- Memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin e ndërsjelltë midis Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit.
- Marrëveshje bashkëpunimi nëpërmjet Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Qendrës Kombëtare për Kinemanë të Francës.
- Deklaratë qëllimi mes Ministrisë të Brendshme të Shiqipërisë dhe Francës në lidhje me forcimin e bashkëpunimit policor në fushën balistike.