Macroni i bën thirrje Iranit ta shmangë përshkallëzimin në Lindjen e Mesme

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kërkoi nga homologu i tij iranian, Masud Pezeshkian, të shmangë përshkallëzimin ushtarak në Lindjen e Mesme, duke theksuar se një luftë e tillë do të dëmtonte stabilitetin në rajon dhe do të shkaktonte më shumë viktima civile

Presidenti francez, Emmanuel Macron.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri thirrje të mërkurën homologut të vet iranian, Masud Pezeshkian, “të bëjë gjithçka për ta shmangur një përshkallëzim të ri ushtarak” në Lindjen e Mesme, njoftoi Presidenca franceze.

“Një përshkallëzim ushtarak nuk do të ishte në interesin e askujt, as të Iranit, dhe do ta dëmtonte stabilitetin afatgjatë në rajon”, i tha Macron-i Pezeshkianit gjatë një bisede telefonike, sipas njoftimit.

Presidenti francez bëri thirrje të ndalet “logjika e hakmarrjes” dhe të “mbrohen popullsitë civile”.

Druajtjet për shpërthimin e një lufte në mes të Iranit dhe Izraelit janë rritur javët e fundit, pas vrasjes në Teheran të Ismail Haniyehut, liderit politik të Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Irani dhe Hamasi e kanë fajësuar Izraelin për vrasjen e tij. Haniyehu ndodhej në Teheran për të marrë pjesë në inaugurimin e Pezeshkianit.

Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e Haniyehut, por as nuk e ka mohuar atë.

Hezbollahut, grupi militant libanez i mbështetur nga Irani, ka kërcënuar gjithashtu se do të hakmerret ndaj Izraelit, pasi autoritetet izraelite thanë se e vranë në Bejrut njërin prej komandantëve të Hezbollahut javën e kaluar.

“Irani duhet të përkushtohet për t’iu bërë thirrje aktorëve destabilizues, të cilët i mbështet, të vetëpërmbahen për ta shmangur përshkallëzimin”, tha Macron.

Më herët të mërkurën, Pezeshkian u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të Perëndimit ta ndalin mbështetjen për Izraelin./ Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

340 mësimdhënës të gjuhës angleze certifikohen për aftësitë e tyre...

Shtëpia botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Pearson Education”, mbajti serinë e Webinareve "Challenging Traditional Methods: UNDERSTANDING AI-DRIVEN INNOVATIONS IN LANGUAGE TEACHING” për...

Dukagjini” dhe “Pearson” mbajnë webinarët ndikimin e IA-së në mësimdhënie...

Shtëpia botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Pearson Education”, mbajti serinë e Webinareve "Challenging Traditional Methods: UNDERSTANDING AI-DRIVEN INNOVATIONS IN LANGUAGE TEACHING” për...

Osmani konfirmon njohjen nga Kenia

Republika e Kenias është bërë shteti i 118-të që ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, përmes një vendimi të firmosur...

Të fundit nga rubrika