Jetish Maloku, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, të enjten e 29 dhjetorit, ka mbajtur konferencën e fundvitit, në të cilën, ka treguar të arriturat njëvjeçare dhe planet e ardhshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Në këtë konferencë para mediave, Maloku ka folur edhe për dorëheqjen e prokurorëve të komunitetit serb në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, e cila ka ndodhur më 7 nëntor të vitit 2022. Krahas prokurorëve, dorëheqje pati dhënë edhe stafi administrativ nga komuniteti serb i kësaj prokurorie. Lidhur me këtë, Jetish Maloku, kryesues i KPK-së, ka thënë se dorëheqjet do të trajtohen pas vitit të ri, veç e veç, jo në bashkësi, pasi sipas tij, arsyet e dorëheqjes janë të ndryshme.
Ai ka shtuar se dorëheqja e prokurorëve serbë ka krijuar një situatë jo të këndshme dhe komplekse, dhe se Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bartuar pasojat më të rënda të kësaj dorëheqjeje, për shkak se ka pasur mungesë të prokurorëve dhe stafit administrativ.
Ndërsa, ka theksuar se pasi të analizohen dorëheqjet e prokurorëve, Këshilli Prokurorial i Kosovës do të japë vendimet meritore konform ligjit për ata, ndërkaq administrata do të vendosë për stafin administrativ.
“Muaj më parë kanë ofruar dorëheqje edhe prokurorët përveç gjyqtarëve, them të drejtën ka qenë dhe është për ne një situatë jo fort e këndshme dhe bukur komplekse. Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka pasur pasojat më të rënda për shkak të mungesës së prokurorëve dhe stafit administrativ. Ne si Këshill kemi vendosur që këto dorëheqje t’i trajtojmë jo si dorëheqje që kanë ofruar përnjëherë këta 20 prokurorë, por kemi vendosur që t’i trajtojmë për secilën dorëheqje veç e veç, dhe pas një analize, ne do të kishim vendosur me vendimet tona meritore që i takojnë Këshillit. Jemi në shqyrtim e sipër dhe po besojmë që menjëherë pas vitit të ri, pas pranimit të një analize që do t’u bëhet gjitha këtyre dorëheqjeve pasi ato arsyetimet e dorëheqjeve nuk janë krejt të njëjta, por ndryshojnë njëra prej tjetrës, besojmë shumë shpejt që do vendosim në mënyrë meritore për ta dorëheqjet dhe njëkohësisht edhe administrata do të vendosë për stafin administrativ konform ligjit”, ka thënë Maloku.
Lidhur me dorëheqjen e prokurorëve serbë, Maloku ka treguar se Këshilli ka pezulluar pagat e tyre, pasi ata nuk dalin në punë, ndërkaq ditët apo javët në vazhdim, do të jepet një vendim lidhur me prokurorët serbë, të cilët kanë dhënë dorëheqje.
Sipas Malokut, Këshilli është munduar t’i zbusë pasojat e dorëheqjeve dhe ka transferuar prokurorë sipas mundësisë në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
“Këshilli ka marrë një vendim, ka pezulluar pagat e tyre për shkak se ata nuk dalin në punë dhe nuk punojnë dhe në këtë drejtim nuk ka pasur dilemë. Ne tani do ta shohim se si do të vendoset definitivisht ditët apo javët në vazhdim. Ne kemi marrë masa që pak a shumë t’i zbusë pasojat e këtyre dorëheqjeve dhe janë trasferuar prokurorë aq sa kemi pasur mundësi në këtë Prokurori Themelore në Mitrovicë”, ka thënë Maloku.
Maloku ka folur edhe për kandidatin e prezantuar për kryeprokuror, i cili ka thënë se propozimi është dërguar te presidentja dhe mbetet që ajo ta shqyrtojë këtë.
Maloku, në këtë konferencë, ka pasur shifrat e prokurorëve të rekrutuar, konkurset e hapura, transferimet e prokurorëve dhe vërejtjet e shqiptuara për ta.
“Këshilli e ka propozuar kandidatin më të përgatitur te presidentja për kryeprokuror. Prokuroritë në baza tremujore kanë raportuar në Këshill. Në muajin prill KPK ka rekrutuar 7 prokurorë, si dhe kemi hapur konkurs për 22 prokurorë të ri. KPK ka avancuar 3 prokurorë dhe ka transferuar 8 prokurorë ku ka pasur nevojë. Objektiva ka qenë edhe llogaridhënia dhe disiplina e prokurorëve, KPK ka pranuar 9 kërkesa për hetime disiplinore ndaj prokurorëve. KPK ka shqiptuar 4 vërejtje jo publike me shkrim 4 vërejtje publike me shkrim si dhe 4 prokurorë janë liruar nga përgjegjësia”, ka shtuar Maloku.
Maloku, konferencën vjetore e ka nisur me arritjet e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ku ka treguar se ky këshill ka hartuar dhe miratuar plane të shumta, ka mbajtur afro 18 takime dhe ka nxjerrë më shumë se 180 vendime, të cilat kanë ndihmuar në realizimin e mandatit ligjor në shërbim të sistemit prokurorial.
“Këshilli këtë vit ka mbajtur rreth 18 takime dhe ka nxjerrë më shumë se 180 vendime, të cilat kanë shërbyer për realizimin e mandatit të tij ligjor në shërbim të sistemit prokurorial. Këshilli ka realizuar edhe takime të tjera të shumta. Disa nga sukseset dhe punët kryesore të realizuara nga Këshilli bazuar në mandatin e tij kushtetues dhe ligjor, në përkrahjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, këshilli prokurorial gjatë kësaj periudhe, ka hartuar dhe miratuar planin strategjik të sistemit prokurorial 2022-2024. Këshilli ka hartuar dhe miratuar 5 rregullore për menaxhimin e lëndëve”, ka bërë të ditur Maloku në konferencën vjetore të mbajtur nga KPK.
Ndërkaq, për vendosjen e arrestit shtëpiak ndaj ish-policit, Dejan Pantiqin, që ndodhi ditën e djeshme, Maloku ka thënë se duhet të pyeten personat kompetent, ndërsa ka thënë se KPK ka shprehur shqetësimin dhe ka kundërshtuar çfarëdo ndërhyrje që synohet të bëhet në sistemi gjyqësor apo prokurorial.
Ai u pyet se si e sheh që Pantiq nuk u arrit të transferohej në Prishtinë, pas kërkesës së prokurorit të rastit. Sipas tij, për këtë çështje nuk është përgjegjëse Prokuroria.
Maloku, ndër të tjera, u shpreh se është shqetësuese çfarëdo ndërhyrje nga pushteti në sistemi e drejtësisë.
“Ne nuk mendojmë se është përgjegjëse Prokuroria, mendojmë se janë institucionet përkatëse që duhet ta sjellin personin në fjalë. Do të ishte mirë këtë pyetje t’ua bëjmë atyre që janë kompetent në këtë drejtim. Ne kemi shprehur edhe shqetësimin edhe kundërshtimin tonë e çfarëdo ndërhyrje që ne shohim nga pushteti apo përfaqësuesit e pushtetit, qoftë në sistemin gjyqësor apo prokurorial”, u shpreh Maloku.
Ndryshe, ish-polici serb, Dejan Pantiq, u arrestua më 10 dhjetor, në pikën kufitare të Jarinjës.