Njëra prej platformave kryesore në botë për artin bashkëkohor, “Frieze” e Londrës, e ka renditur edicionin e sivjetmë të “Manifestas” në Prishtinë në mesin e top-10 ekspozitave më të mira evropiane për vitin 2022.
Në listën e dhjetëshes të revistës me të njëjtin emër, gjenden prej kthimit triumfues të Cyprien Galliard në Paris e deri në debutimin e Bruno Zhu në Barcelonë, si dhe përzgjedhjes së një sërë muzesh të njohur evropianë si “Kunstmuseum Basel & Gropius Bau” në Bazel të Zvicrës, galeria “Cordova” në Barcelonë të Spanjës, galeria “Nordenhake” në Stockholm të Suedisë, “PinchukArtCentre” në Kiev të Ukrainës e të tjera.
“Manifesta 14” që u mbajt nga 22 korriku deri më 30 tetor në kryeqytet renditet e katërta, përderisa në ballinë të artikullit është imazhi i kukullave të famshme të artistit të Kosovës, Dardan Zhegrova, ekspozuar në 100-ditëshin e “Manifestas”.
Bëhet fjalë për “personazhet” e veprës së tij “Your enthusiasm to tell a story”.
Në përmbledhjen e shkurtër për “Manifesta 14”, revista “Frieze” bën të ditur se si ajo i kishte intervistuar disa artistë të Ballkanit Perëndimor ende pa u bërë të ditura disa gjëra.
“Përpara edicionit të 14-të të ‘Manifestas’, i cili u mbajt këtë verë në Prishtinë, ‘Frieze’ mblodhi një grup artistësh e autorësh nga Ballkani Perëndimor për të diskutuar mbi përfitimet dhe kurthet e mundshme të organizimit të Bienales nomade në Kosovë. Disa pjesëmarrës, përfshirë Šejla Kamerić, shpresuan që në qendër të vëmendjes të jenë artistët rajonalë. Dëshira e saj u realizua kur u zbulua se më shumë se gjysma e artistëve ekspozues ishin nga rajoni”, thuhet në artikullin e “Friezes”.
Ndërkaq te përzgjedhja e ekspozitave të hapura në kuadër të “Manifestas”, ajo është ndalur shkurtimisht në veprat e dy artistëve: Artan Hajrullahu nga Kosova dhe Selma Selmani nga Bosnjë-Hercegovina, që i quan vizatime provokuese dhe të çuditshme.
“Pikat kryesore të ‘Manifestas’ përfshinin vizatimet ‘provokuese’ dhe ‘të çuditshme’ të formatit të vogël, të punuara me ngjyra lapsi nga artisti kosovar Artan Hajrullahu, si dhe Selma Selman, një artiste e lindur në Bosnjë-Hercegovinë, e cila ka origjinë rome. ‘Mercedes Matrixi’ (2019) i Selmanit ‘pasqyron artisten dhe familjen e saj, të cilët merren me grumbullimin e hekurishteve, duke shkatërruar një ‘Mercedes Benz’ në një përpjekje për të ‘zbërthyer dhe shkatërruar imazhin stereotip të romëve’”, ka përfunduar “Frieze”.
“Frieze” është platforma kryesore në botë për artin modern dhe bashkëkohor, dedikuar artistëve, galerive, koleksionistëve dhe artdashësve, e cila është themeluar në vitin 1991 nga Amanda Sharp, Matthew Slotover dhe Tom Gidley me lansimin e revistës “Frieze”, revistë kryesore e artit dhe kulturës bashkëkohore. Më pas, në vitin 2003, Sharp dhe Slotover themeluan “Frieze London”, një nga panairet më me ndikim të artit bashkëkohor në botë, i cili zhvillohet çdo tetor në “The Regent’s Park”, Londër.
“Frieze” përfshin tri botime, revistën “Frieze”, revistën “Frieze Masters” dhe “Frieze Ëeek”, katër panaire ndërkombëtare të artit, Frieze London, Frieze LA, Frieze Neë York, Frieze Seoul dhe Frieze Masters; Cork Street Nr.9, një hapësirë e përhershme galerie në zemër të Londrës, bisedime dhe samite të rregullta të udhëhequra nga redaktorët e “Frieze” dhe frieze.com – që është burimi përfundimtar për artin dhe kulturën bashkëkohore.