Artin e kemi për të shpëtuar prej së vërtetës, ka thënë filozofi Friedrich Nietzsche.
E këtë më së miri po e dëshmon Manifesta 14 me qytetarët e Prishtinës dhe gjithë Kosovës, e cila me veprat e artistëve kosovarë dhe të huaj po bën që qytetarët e Kosovës të shpëtojnë prej ‘terrorrit’ politik dhe gjendjes jo të mirë sociale në vend.
Përveç kësaj, Manifesta po na thërret të reflektojmë mbi veten dhe shoqërinë në të cilën po jetojmë. Pas 100-ditëshit, sa zgjat Manifesta në Prishtinë, ata të cilët kanë vizituar hapësirat ku janë të manifestuara veprat e artistëve nuk do të jenë të njëtë si para Manifestës.
Driton Selmani me “Letra dashurie” në qese plastike
Krijimet befasuese dhe të paharrueshme janë gjithmonë pjesë e Manifestës, kësaj radhe në Prishtinë Manifesta 14 vjen me epigramin nga artisti kosovar Driton Selmani. Ai transferoi një qese plastike, në një letër dashurie, me një mesazh që të bën ta mendosh gjatë kuptimin.
Inspirimi i tij për serinë “Love Letters” kishte ardhur rastësisht, duke ngritur pyetje se çka ndodh me dashurinë pas një kohe, në një shoqëri kapitaliste, në mesin e shumë pyetjeve, a transformohet apo zvogëlohet ajo.
“Ideja për serinë “Love Letters” 2018 ka ardhur krejt aksidentalisht. Në mesin e shumë pyetjeve se çka ndodh me vetë dashurinë pas një kohe, a transformohet? A tkurret? Apo edhe adaptohet në ujërat e konsumerizmit dhe normativave të kapitalizmit”, është shprehur Selmani, për Portalin Dukagjini.
Ai e përshkruan instalacionin e tij si një lloj ditari që mund të jetojë deri në 10 mijë vjet, po aq sa qeset plastike.
“Hulumtimi është sa personal po aq edhe vrojtues mbi botërat e padukshme me te cilat jetojmë. Një lloj ditari që mund të jetojë deri në 10 mijë vjet, po aq sa edhe qeset e plastikes. Diçka në mes të madhështisë dhe tmerrit”, ka thënë Selmani.
Selmani ka treguar se ai i përket një grupi që quhet “Ready-made artist”, po ashtu, ai mendon se është te një grup i njerëzve që mendojnë se si shoqëri prodhojmë më shumë sesa mund të konsumojmë.
Andaj, ai ka thënë se është i detyruar për t’i bërë një arkeologji ‘bashkëkohores’ sonë.
“Pra, shoh shumë vlerë edhe ripërdorim gati në gjithçka që na rrethon, edhe në ato gjëra që në dukje të parë janë të pavlera si qeset e plastikes. Për mua janë pëlhura perfekte, pa shpenzuar shumë para në pëlhura”, është shprehur ai.
Seria e tij “Lover Letters” ka filluar që nga viti 2018 dhe deri më tani ka rreth 500 të kryera, edhe një arkiv shumë të madh që ai i mbledh nga supermarketet, në rrugë, nga familja e shokët e tij, deri te njerëz të zakonshëm që i sjellin qese. Kjo, sepse, sipas tij, ata besojnë se ai ka aftësi të ngjashme me Shamanet për t’ia dhënë atë shtresën mistike qeses, e qesja të kthehet në vepër arti.
Sipas tij, seria është më shumë një set hartash sesa një hartë e vetme, duke përfshirë lista blerjesh në dyqane, poema, manifesto se si te jetohet, rrëfime intime e shumëçka tjetër.
“Një set vrojtimi edhe mënyrë se si t’i tregosh tregimet ndryshe me doza të ironisë aty- këtu”, ka shtuar Selmani.
“Do të doja të ishe një qese plastike, që të ishe i përjetshëm”, për të do të thotë se natyra jonë është kundër vetë natyrës, përvojë e ‘së vërtetës’, ndryshe nga akumulimi i njohurive.
Ndërsa, përballja e tij me të është përvojë gati mistike, zhytet në to duke e humbur qëllimin. “Në të njëjtën kohë, edhe ëndrrat tona tanimë janë pjellë e përditshmërisë sonë, e kjo e fundit është nënprodukt i shoqërive me orientim konsumin. Pashmangshmërisht ne ëndërrojmë për algoritmet që na plasohen prej ekonomisë së egër që na rrethon.”
Tani artisti nga Kosova është duke zhvilluar një projekt së bashku me Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, dhe beson se për një periudhë jo shumë të gjatë do të dalin më shumë informacione rreth instalaconit të ri.
Gjithashtu, ai ka rikujtuar se instalacioni “Weather Forecast”, 2022 vazhdon të jetë i qasshëm për vizitorë në parkun Taukbahqe në Prishtinë, vepër e cila ka qenë komisionim i Hapur – Festivali i Artit në Hapësirë Publike, në bashkëkoordinim me Drejtorinë e Parqeve te Komunës së Prishtinës.
Ndërsa, vepra e tij do të qëndroje atje deri më 15 Shtator 2022.
Për vizitën e Manifesta-s në Hotel Grand, ai ka thënë se ka shkuar mbi katër herë, e që akoma nuk ngopet nga pamjet që janë aty.
Sipas tij, vetë Grandi është site-specific veprat në të janë site-specific, po ashtu edhe koncepti kuratorial.
“Vetë eksperienca aty është site-specific. Kosova si e tillë është site-specifik. Çdo shkuarje në Grand apo edhe në lokacione të tjera është përvojë e veçantë, sepse i gjithë qyteti është kuruar”, ka thënë ai.
Nëse ka pasur ndonjë efekt që Manifesta të njihet nga artistët evropianë dhe të flitet për eventet në Kosovë, ai është shprehur, ngase shumë shoqëri nga vende të tjera të botës kanë qenë dhe vazhdojnë të vijnë.
Tutje, ai ka shtuar se Prishtina ka pritur njerëz me shumë ndikim në botën e artit si gazetarë, galeristë dhe koleksionistë.
Ekspozita e cila ishte e hapur që nga 27 qershori do të vazhdojë të jetë e hapur për vizitorë deri më 25 shtator të këtij viti.
Alban Muja me “mbindërtimin” e fundit në Prishtinë
“Për të kuptuar rëndësinë e Manifesta 14 për Prishtinën dhe Kosovën, majfton të kuptojmë se para Prishtinës ishte në Marsej dhe pas Prishtinës do të mbahet në Barcelonë”
Këtë na thotë artisti bashkëkohor Alban Muja për Portalin Dukagjini, i cili na flet edhe për instalacionin e tij “Above Evryone” (Mbi të Gjithë), të manifestuar mbi shtëpinë e mallrave të “Gërmisë”.
Sipas Mujës, instalacioni “Above Evryone” (Mbi të Gjithë) pasqyron realitetin e mbindërtimeve që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë.
Ai ka treguar ku projket ka filluar vetëm si njëseri pikturash, para dy vjetësh, pra në kohën kur u larguar nga Prishtina.
“Above Everyone” (Mbi të Gjithë) është një projekt që tregon realitetin urban të periudhës së pasluftës në Kosovë. Si projekt në një seri pikturash ka filluar para dy vjetësh, atëherë kur vendosa të shkeputem fizikisht për një kohë nga Prishtina, dhe pasi u ktheva peizazhi urban filloi të më dukej ndryshe. Ato shtepitë ilegale mbi ndertesat kolektive banuese që kisha parë çdo ditë dhe me të cilat isha mësura, fillova t’i shoh ndryshe. Në vitin 2020 shëtita krejt Prishtinën dhe dokumentova të gjitha mbindërtimet në Prishtinë, disa nga ato me ‘ikonike’ edhe i kam pikturuar”, ka thënë Alban Muja.
Atëherë kur u takua me kuratoren e Manifestës 14, Catherine Nichols, ku ai i ka prezentuar idenë e tij, ishte edhe koha ku vendosi që në kuadër të Manifestës të mos ekspozojë piktura por të bëjë një mbindërtim, me shpresën që do të nxitë një debat rreth mbindërtimeve në Prishinë, dhe “Above Evryone” (Mbi të Gjithë) të jetë mbindërtimi i fundit në Prishtinë.
“Une pranova me shumë qejf, por propozimi im ishte jo të ekpozojmë piktura por të bëjmë një mbindërtim të ri, me shpresën që do të ngritë debate për këtë fenomen dhe me shpresë që do të jetë mbindërtimi i fundit në Prishtinë. Pastaj propozuam që të jetë mbi ish-shtëpinë e mallrave Gërmia, për shume arsye. Për shkak të lokacionit, për shkak të vetë ndërtesës e cila vazhdon të jetë një ndërtesë që sjell memorie koletive për qytetarët e Prishtinës, për shkak të stilit ariktektonik por edhe për shkak të debateve që janë zhvilluar për këtë ndërtesë dy dekadat e fundit dhe për të cilën ndërtesë kisha shkruar një shkrim në vitin 2006”, ka shtuar Muja.
Ndërsa, i pyetur se çka sibolizon dhe në çka na thërret ky instalacion ai përgjigjet se “Vepra nuk mëton t’i glorifikojë mbindërtimet, larg asaj, por sjell në diskutim këtë fenomen i cili mund të mos jetë i vetmi në botë, por i rrallë gjithsesi, pasi edhe në vende të tjera në tranzicion ka pasur mbindërtime, por jo shpesh mbi ndertesa, por anekse të fshehura. Me këtë vepër ne bëjmë thirrje që të ngritet një debat dhe t’i bëjmë një zgjidhje këtyre fenomeneve dhe, njëkohesisht, me zgjidhjen e tyre të ndalojmë në të ardhmen këtë fenomen”.
Muja shton se zgjidhja këtij problemi duhet të bëhet nga institucionet, pasi artisti vetëm mund të ngritë debat dhe mund të bëjë pyetje.
I pyetur si artisit që jeton për momentin në Berlin se a është instalacioni “Above Evryone” (Mbi të Gjithë) e anarkizmit nëpërmjet artit për të luftuar ‘terrorin’ që e ka kapluar Prishtinën nga mbindërtimet dhe me këtë edhe nga ndërtimet pa leje, Muja na përgjigjet se “Vepra është një thirrje për diskutim dhe për zgjidhje të këtij problemi. Është e vertetë që pas luftës sikur edhe në çdo vend tjetër ka pasur mungesë të ligjit, dhe si pasojë shumë qytetarë që kishin humbur shtëpitë e tyre gjatë luftës, por shumë shpesh edhe ata që kishin abuzuar me ligjin, për një kohë në Kosovën e pasluftës, e sollën urbanizmin në stilin DIY, disa per shkak që kanë humbur pronën gjatë luftës, dhe zgjedhja e shpesh ka qenë kjo, por ka edhe nga ata që kanë vazhduar dhe vazhdojnë të keqpërdorin ligjin.
Ai na tregon edhe për ndikimin e Manifestës për Prishtinën. Ajo ka bërë të që të njihet Prishtina për eventet e saja kulturore, jo vetëm në Berlin ku ai jeton, po në të gjithë Evropën, dhe se qytetarët e Prishinës duhet të jenë krenarë që kanë pasur një mundësi si kjo, të jenë nikoqir të Manifesta 14.
“Manifesta se njëri nga eventet më të rëndësishme në botën e artit, gjithsesi ka ndikim jo vetëm te artistët nga Berlini, por besoj anëkënd. Kjo mund të shihet edhe nga vizitorët e Prishtinës këta muaj, por edhe nga mediat ndërkombëtare të cilat i kanë dhënë një hapësirë të bollshme këtij eventi dhe Prishtinës si asnjëherë më parë, për të cilin Prishtina dhe qytetarët e saj duhet të jenë krenarë që kanë pasur mundësi ta mirëpresin këtë edicion, të 14-të me radhë”, ka shtuar Muja.
Ai është duke shpresuar që instalacioni të mbetet edhe pas përfundit të Manifesta 14-të, por që është diçka që nuk varet nga ai.
“Ne kur e kemi menduar në fillim, e kemi parë vetëm si një vepër për 100 ditët e Manifestës, por nëse ka vullnet dhe nëse ka kushte besoj që edhe mund të mbetet, por kjo nuk varet nga unë” ka thënë Muja.
Si e sheh profesori i artit konceptual Mehmet Behluli Manifestën 14-të?
Profesori i artit konceptual në Fakultetin e Arteve në Prishtinë Mehmet Belhuli në një intervistë për Portalin Dukagjini ka folur për rëndësinë dhe ndikimin e Manifesta 14-të në Prishtinë.
Behluli ka thënë se mbajta e një eventi sikur Manifesta në Prishtinë është një ‘mrekulli’, duke marrë parasysh procedurat që kalohen për të arritur deri te një ngjarje e tillë.
“Sikurse edhe mund të shihet, Manifesta si një ngjarje e dorës së parë, pse ka ndodhur te ne, ka qenë një “mrekulli”. Ata që merren me këto pune, e dinë se çfarë procedurash kalohen për të ardhur deri te një ngjarje e nivelit të tillë”, ka thënë profesori Mehmet Behluli.
Profesori Behluli tha se një ngjarje e nivelit të Manifestës nuk e mban mend të ketë ndodhur në një vend si Prishtina. Arsyeja pse Manifesta e ka gjetur Prishtinën të manifestohet na tregon se Prishtina është një vend “magjik” duke i marrë parasysh të gjitha problemet që është duke kaluar shteti i Kosovës.
“Unë nuk mbaj mend të ketë ndodhur ndonjë ngjarje e nivelit të tille në një vend si Prishtina ndonjëherë në histori. Artistikisht komplet i parëndësishëm, politikisht gjithashtu edhe aspekti edhe më i gjerë. Keto 20 vjetët e fundit, edhe pse dikujt mund t’i duket përparim i vogël, unë si dikush që jam pjesë e sistemit të artit në Kosovë, mund t’ju them se kjo që e ka gjetur Prishtinën tregon se Prishtina vertetë është një vend “magjik”. Askush nuk mundet të shpjegojë se si në këso kushtesh ekonomike, sociale, historike, e besa edhe me kushte politike të çuditshme, se si artistat zhvillohen brenda këtij ekosistemi duke e thënë më së buti “jo të shëndoshë”. Mund të shihni edhe nga publiku, mysafirët, reflektimi në mediat më të mëdha e të rëndësishme botërore se si Prishtina ishte njëfarë lloj Qendre artistike, së paku për një “moment”. Këtë e ka merituar Prishtina, rinia, artistat e rinj, po edhe ne pak më të vjetrit”, ka shtuar Behluli.
I pyetur se si e kometon instalacionin e Petrit Halilajt “Kur ikën dielli, pikturojmë qiellin”, ai thotë se vepra e Petritit është një punim poetik, ëndërrimtar, magjik dhe utopik.
“Petrit Halilaj është një nga artistët më aktiv në skenën botëore të artit të cilin ne e kemi. Une gjithashtu ndiej krenari me çdo sukses të Petritit. Këtë radhë u prezantua me një punim shumë poetik, ëndërrimtar, magjik si dhe utopik. Pra kësaj radhe suksesi është në artistat e shumtë kosovarë të cilët janë prezentuar me punët e tyre të nivelit shumë të lartë. Pra, edhe me ta krenohemi pa masë” ka shtuar profesor Behluli.
Ndërsa, i pyetur se a i ka munguar Manifestës ndonjë prej artistëve kosovarë, dhe a ka pasur mangësi Manifesta, profesori Mehmet Behluli thekson “Me i pasë përzgjedhë 10 kuratorë, jam i bindur se secili prej tyre do ta kishte bërë përzgjedhjen e vet personale. Pra, do të bëheshin 10 përzgjedhje të ndryshme. Kesaj radhe une mendoj se Manifesta na ka ofruar këtë pasqyrë të artit botëror me shumë artistë tanë përbrenda. A ka munguar ndokush? Sigurisht ka mundur të mungojë. Prej se organizohen Manifestat, artista shqiptarë dhe kosovarë pjesëmarrës në të kaluarën ka pasur shumë pak. Kësaj radhe ndodhi mrekullia. Në parim mendoj se arti i Kosovës ka qenë shume mirë i prezantuar.
Behluli shton se një pjesëmarrje aq masive nga Kosova vetëm në ëndërr mund ta kishte parë.
Manifesta 14-të do të jetë eventi aq me ndikim në botën e kulturës dhe artit kosovar, por edhe në mentalitetin e të gjithë atyre që e kanë vizituar. Nga përfundimi i Manifestës e tujte koha në Kosovë do të llogaritet para dhe pas Manifestës.