MAPL anulon vendimet e Kuvendit Komunal të Prishtinës, e rikthen Fehmi Kupinën në pozitën e kryesuesit

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka shpallur të pavlefshme vendimet për shkarkimin e kryesuesit, Fehmi Kupina dhe atë për rikthimin e anëtarëve të pozitës në bordet e ndërmarrjeve publike

Fehmi Kupina, foto:EO

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) i ka shpallur të pavlefshme vendimet për shkarkimin e kryesuesit, Fehmi Kupina dhe atë për rikthimin e anëtarëve të pozitës në bordet e ndërmarrjeve publike, që janë ndërmarrë në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Sipas konstatimit të MAPL-së, këto vendime nuk kanë efekt juridik, pasi kryesuesi i Kuvendit e ka shpallur të mbyllur mbledhjen.

Në shkresën që MAPL-i ka dërguar Kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës thuhet se, “MAPL konstaton se mbledhja e VV-të e kryeqytetit ka përfunduar në atë moment kur Kryesuesi i Kuvendit e ka shpallur të mbyllur mbledhjen për shkak të rrethanave të krijuara në pamundësi për të vazhduar, andaj vazhdimi i mbledhjes dhe vendimet e miratuara në atë mbledhje nuk krijojnë asnjë efekt juridik”.

Shefi i asambleistëve të VV-së, Gëzim Sveçla ka publikuar edhe vendimin e MAPL-së.

“Anulohet seanca klandestine e partive në pushtet në Prishtinë. Aksionarët e ndërmarrjeve publike komunale mbetën ata që kanë qenë, të opozitës; Kryesuesi mbetët ai që ka qenë nga fillimi i mandatit; Të gjitha vendimet tjera që janë marrë në atë “seancë” janë të pavlefshme”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ndryshe, kujtojmë që para një jave, gjatë fjalimit të kryetarit Përparim Rama, partitë në opozitë nisën të rrihnin tavolinat dhe të bënin zhurmë.

Në ato momente, Kupina u shpreh se “nuk janë kushtet” për mbajtje të seancës dhe e shpalli të mbyllur seancën.

Përgjigja ishte e menjëhershme nga pushteti. Kryetari Rama arsyetohej se shumica është e pranishme dhe se janë kushtet për mbajtje të seancës.

Pas largimit të Kupinës dhe opozitës, partitë në pushtet vazhduan mbledhjen dhe shkarkuan Kupinën si dhe shfuqizuan vendimin e mëhershëm për shkarkim të aksionarëve komunalë në bordet e ndërmarrjeve publike.

“Sot, Asambleja e #Kryeqyetit mbajti një seancë shumë të rëndësishme, në të cilën u kthye vullneti i qytetarëve të Kryeqytetit dhe legjitimiteti i përfaqësuesve të tyre. Kuvendi, me 27 vota, shkarkoi Kryesuesin e deritanishëm, i cili akt ishte i domosdoshëm si mesazh për të gjithë ata që interesat personale i vendosin para interesave të përgjithshme të qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar Rama.

Shija e redaktorit

“Dukagjini Resort” te Rana e Hedhur, në fillim të rrugës...

"Dukagjini Resort" është një projekt i jashtëzakonshëm arkitekturor te Rana e Hedhur, në kilometrat e parë të rrugës së re Shëngjin-Velipojë. Resorti, puna për ndërtimin...

Distria Krasniqi shpallet për herë të tretë kampione e Evropës...

Distria Krasniqi ka shkëlqyer sërish në arenën ndërkombëtare të xhudos, duke fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian që po mbahet në Podgoricë të...

Kongresi Amerikan paraqet rezolutë kundër krimeve të dhunës seksuale në...

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), njofton se Kongresi Amerikan paraqet Rezolutën 26 – një zë i fuqishëm kundër krimeve...

Të fundit nga rubrika