Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka mohuar pretendimet e opozitës se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është rrezikuar të mbetet pa ushqim.
Në një deklaratë publike, ai ka theksuar se ushqimi i ushtarëve ka qenë gjithmonë në përputhje me standardet e kërkuara dhe se asnjëherë nuk ka pasur mungesa.
“Në asnjë moment dhe në asnjë rast, ushtarët e Kosovës nuk kanë mbetur pa ushqim. Ushqimi i shërbyer ka qenë gjithmonë sipas standardeve të kërkuara për ushqyerjen e ushtarëve”, ka deklaruar ministri Maqedonci në seancën e Kuvendit.
Maqedonci ka pranuar se gjatë ditëve të para të ndryshimit të konceptit të ushqimit ka pasur vështirësi, por shtoi se kjo ishte rezultat i ndalimit të një praktike të dëmshme që ka vazhduar për vite.
Këto deklarata vijnë pas kritikave të opozitës, e cila pretendon se FSK-ja ka qenë në prag të një situate ku mund të mbetej pa ushqim.
“Normalisht ka pasur një vështirësi në ditët e para kur kemi ndryshuar konceptin e ushqimit, dhe kjo ka ardhur për arsyen që ne kemi bërë ndërprerjen të një fenomenit i cili ka dëmtuar për vite të tëra ushtrinë atë të dhënies së kontratave emergjente për nëntë vite me radhe dhjetë herë një operatori, përveç që ka dëmtuar buxhetin e shtetit po ashtu nuk siguruar qëndrueshmëri në ushqim për ushtarët e Kosovës”, ka deklaruar Maqedonci.