Grupi terrorist serb i udhëhequr nga Milan Radoiçiq po lëvizë shpesh afër kufirit të Kosovës, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Sipas tij, ky grup paraqet kërcënim për sigurinë e vendit, derisa mbetet i pandëshkuar për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
Krahas kësaj, Maqedonci ka shtuar se prezenca e madhe ushtarake e Serbisë përgjatë vijës kufitare me Kosovën, stërvitjet e shpeshtuara në brezin kufitar, si dhe militarizimi i Serbisë nga Rusia dhe Kina, janë rrezik për destabilitetin e tërë Ballkanit Perëndimor.
Maqedonci ka kërkuar nga Serbia që të dorëzojë në Kosovë të gjithë pjesëmarrësit në sulmin terrorist në Banjskë.
“Nga drejtori i policisë disa herë është theksuar fakti dhe janë prezantuar informacionet për përfshirjen e këtij grupi në përgatitjet e ndryshme brenda territorit të Serbisë. Kjo mban situatën fragjile dhe paraqet kërcënim për vendin tonë. Duke i shtuar faktin se ky grup ka qenë i mbështetur nga strukturat e sigurisë së Serbisë, duke marrë parasysh evidencat që janë gjetur, me theks të veçantë sistemet e armatimit që janë përdorur nga ky grup që kanë qenë sisteme të prodhuara në fabrika në Serbi dhe që nuk mundet të blihen në treg komercial…Fakti që ky grup vazhdon të jetë i lirë në Serbi dhe që lëvizë shpesh afër kufirit të Kosovës, vazhdon të mbetet një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin”, ka thënë Maqedonci.
Ai deklaroi se Serbia përmes stërvitjeve ushtarake përgjatë brezit kufitar dëshiron t’i bëjë presion Kosovës.
“Prezenca e këtyre bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmerisë serbe jo shumë larg kufirit me Kosovën vazhdon të paraqes kërcënim për vendin tonë. Duke i shtuar kësaj pastaj këtë çështjen e stërvitjeve, me të vërtet vlerësojmë se minimalisht nuk është e hijshme që një vendi fqinj t’i dërgohet ushtri për të kryer stërvitje në kufirin e tij. Vlerësojmë se kjo është një formë presioni që Republika e Serbisë vazhdon të zbatojë kundrejt Republikës së Kosovës”, shtoi ai.
Duke folur për luftën hibride ruso-serbe, ai thotë se kanë ndërmarrë hapa për t’u mbrojtur, derisa thekson se qëllimi është destabilizimi dhe skepticizmi për rrugën e integrimit euro-atlantik.
“Kemi qenë dëshmitarë të disa sulmeve kohëve të fundit, sidomos pas mbështetjes që i kemi dhënë Ukrainës. Lufta kibernetike, lufta me dezinformim dhe lajmeve të rreme është një prej elementëve që kompletohet me element të tjerë siç ka qenë grupi i Radojçiqit dhe prezenca e ushtrisë serbe në kufirin e Kosovës”, përfundoi Maqedonci. /KP