Maqedonci: Kemi dislokim enorm të ushtrisë e policisë serbe kryesisht përgjatë vijës kufitare me Kosovën

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se përveç brigadave, Serbia ka të dislokuara në kufi me Kosovën edhe kapacitete të tjera që janë blerë nga Kina dhe Rusia dhe se kjo paraqet kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor

Ejup Maqedonci, minister i Mbrojtjes.

Kosova po përballet me një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë, kryesisht përgjatë vijës kufitare.

Kështu ka thënë në një intervistë për “The Geopost”, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili shtoi se përveç brigadave, Serbia ka të dislokuara në kufi me Kosovën edhe kapacitete të tjera që janë blerë nga Kina dhe Rusia dhe se kjo paraqet kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, një rrezik i tillë është shumë i lartë.

“E kemi një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë, kryesisht përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës. Përveç këtyre tri brigadave, ka edhe formacione të tjera luftarake të ushtrisë serbe që janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë dhe kryesisht janë në bazat në Rashkë, Nish dhe Vranjë, pra përgjatë gjithë vijës kufitare të vendit tonë dhe këto 48 baza që i theksuat janë një zgjatje operacionale e këtyre tri brigadave të ushtrisë serbe e që aktualisht janë në jug të territorit të Serbisë dhe vetëm 1 nga 4 brigadat e ushtrisë së Serbisë është e dislokuar në veri të territorit të Serbisë, më saktësisht në kufi me Republikën e Kroacisë”.

“Pra, shumica e kapaciteteve luftarake, duke përfshirë edhe kapacitetet që janë blerë nga Kina dhe Rusia janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë, dhe kjo nuk paraqet kërcënim vetëm për vendin tonë, por, për të gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimorë dhe për vendet tjera që kufizohen me Republikën e Kosovës. Duke i shtuar kësaj edhe veprimet e fundit që janë ndërmarrë nga grupe të armatosura paramilitare të udhëzuara nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ky rrezik është shumë i lartë”, tha Maqedonci.

Ministri i këtij dikasteri ka folur edhe për ndikimin rus në Ballkan, për çka thotë se informacioni është arma që Rusia përdorë për të gjunjëzuar një shtet.

“Është për tu theksuar që një ndër pikat kryesore të shërbimit sekret rus për të destabilizuar një vend, pra, për të gjunjëzuar një shtet është informacioni, dhe informacioni gjithmonë synon krijimin e një depresioni kolektiv, depresion ky që vërehet edhe në vendin tonë dhe që unë vlerësoj që ka bazament strukturat e inteligjencës të Serbisë të mbështetura edhe nga strukturat e inteligjencës së Rusisë”, tha ai.

Teksa ka folur për kapacitetet e FSK-së, për të cilën thotë se po forcohet dhe është në fazën e dytë të tranzicionit në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Maqedonci ka përmendur pranimi i kërkesës nga Departamenti i Shtetit për blerjen e sistemit anti-tank Javelin.

“Furnizimi, pra pranimi i kërkesës nga departamenti i shtetit për sistemin anti-tank Javelin që ndodhi më 11 janar të këtij viti, pra vitit 2024, është shumë domethënës për ne, veçanërisht për faktin që me këtë sistem ne i zhvillojmë edhe më tutje kapacitetet tona luftarake për mbështetjen e operacioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Këto kapacitete janë të planifikuara dhe të koordinuara bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të ndërtohen ndër vite sipas planit. Faza e tretë do të fillojë në vitin 2025 dhe përfundon në vitin 2028. Kjo do të jetë faza finale e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku ne do të ndërtojmë edhe kapacitete tjera, siç janë kapacitetet e mbështetjes ajrore dhe kapacitetet e artilerisë. Një pjesë të tyre veçse i kemi në vend qysh në këtë fazë dhe kjo falë mbështetjes së e vazhdueshme që kemi pasur nga kryeministri Kurti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës me buxhet shtesë”.

Ai thekson se buxheti që kanë marr, si në aspektin e rritjes së buxhetit, gjithashtu buxhetin shtesë gjatë këtyre tri viteve, ka ndikuar dukshëm që të zhvillojnë këto kapacitete shumë më përpara se që kanë qenë të planifikuara.

“Dhe aktualisht, e kemi si informacion që kemi në vend kapacitetet e mbështetjes ajrore përmes dronëve Bajraktar por dhe planifikojmë të ndërtojmë edhe kapacitete tjera. Gjithashtu, kemi edhe sistemet tjera qe tanimë i kemi në funksion. Të gjitha këto kapacitete janë duke u ndërtuar në bashkëpunim me partnerët tanë dhe të gjitha blerjet që janë bërë, janë bërë në përputhje me standardet e NATO-s, pra të gjitha pajisjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë pajisje që blihen nga vendet e NATO-s, janë sipas standardeve të NATO-s dhe janë të planifikuara në inventarin e pajisjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Maqedonci.

Ai ka folur edhe për synimet për hyrjen e Kosovës në NATO. Ai potencoi se Partneriteti për Paqe nuk është hap i kërkuar dhe i domosdoshëm për tu pranuar në NATO, pra është një hap i ndarë nga anëtarësimi në NATO.

“Vendi ynë është duke ndërtuar kapacitetet mbrojtëse në përputhje me standardet e NATO-s. Ne, në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës kemi një ekip të NATO-s i cili është ekip i dedikuar për këshillim dhe mbështetje të zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë. E gjithë doktrina që e kemi ndërtuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë planifikimi që zhvillohet në Ministrinë e Mbrojtjes është në përputhje me standardet e NATO-s, të gjitha blerjet e pajisjeve, të gjitha sistemet që ne përdorim janë sisteme të NATO-s dhe këta hapa janë bërë kryesisht me qëllim afrimin e vendit tonë në partneritetin për paqe dhe në NATO”.

Vendimi për të qenë pjesë e NATO-s, por edhe partneritetit për paqe është vendim politik i anëtarëve të NATO-s, shtoi ai.

“Dhe fatkeqësisht ende kemi vende që hezitojnë të njohin pavarësinë e vendit tonë dhe rrjedhimisht hezitojnë ta pranojnë Kosovën, megjithatë, kemi pasur përafrim kohëve të fundit, gjatë vjeshtës së vitit të kaluar, në konferencën FSK Partner, kemi pasur edhe vende mosnjohëse që kanë marrë pjesë në këtë konferencë që organizohet me qëllim të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe përafrimit të FSK-së me NATO-n, më saktësisht kemi pasur përfaqësues nga Greqia dhe Sllovakia që kanë qenë pjesë e kësaj konference që është realizuar gjatë muajit tetor të vitit të kaluar (2023)”, tha Maqedonci.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika