Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka reaguar ndaj kërcënimeve të fundit nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, duke theksuar se këto kërcënime nuk janë diçka e re dhe se Kosova është e përgatitur për t’i përballuar ato.
Në një konferencë për media, Maqedonci ka theksuar se Kosova ka institucionet dhe strukturat e saj të sigurisë që punojnë vazhdimisht për mbrojtjen e vendit dhe se kërcënimet e Serbisë nuk përbëjnë një arsye për shqetësim.
“Kërcënimi i fundit nga Vuçiq s’është diçka e re, ne nuk frikësohemi nga këto kërcënime. Jemi të përgatitur dhe asnjëherë frikësohemi duke pasur parasysh që i kemi institucionet tona që punojnë vazhdimisht në këtë drejtim”, ka thënë Maqedonci.
Çka tha Vuçiq?
Gjatë së martës, Vuçiq ka paralajmëruar “masa serioze” në përgjigje të asaj që ai e cilëson si “sulm brutal” ndaj serbëve në veri të Kosovës, pas mbylljes së institucioneve paralele serbe.
Deklarata e tij erdhi takimit me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe ambasadorin amerikan, Christopher Hill.
“Serbia është gjithmonë pro dialogut, por ne do të ndërmarrim masa serioze brenda 72 orësh”, ka thënë Vuçiq, duke theksuar se do t’i drejtohet popullit serb me përgjigjen e Serbisë ndaj situatës.
Vuçiq ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “përndjekje” të komunitetit serb në Kosovë.