Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së bazës ajrore ushtarake në Kuçovë të Republikës së Shqipërisë, duke e quajtur këtë ngjarje si një moment historik që do të ndryshojë karakterin gjeostrategjik të Shqipërisë dhe të Ballkanit në përgjithësi.
“Kjo bazë që do të shërbejë si bazë ajrore taktike e operacionale përbën investimin më madhor të Shqipërisë dhe aleancës së NATO-s, si aset i vyer i mbrojtjes kolektive në dekadën më të kërcënuar të sigurisë,” tha Maqedonci.
Ai, gjithashtu, shprehu dëshirën që Forca e Sigurisë së Kosovës, në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, të ngrejë kapacitetet e saj ajrore dhe uroi që Shqipëria të vazhdojë ndërtimin e flotës moderne ajrore.
“Si çdoherë kombi shqiptar është në anën e duhur të historisë, andaj dhe kjo bazë ashtu si dhe të gjitha kapacitetet ushtarake do të jenë vetëm në funksion të paqes,” shtoi ai.
Duke folur për rëndësinë e bazës ajrore të Kuçovës, Maqedonci tha se “situata e sigurisë në Ballkan tashmë do të shihet nga një prizëm tjetër, sigurisht më i konsoliduar se kurrë bashkëpunimi ndërmjet shteteve anëtare të NATO-s dhe fqinjëve tanë që duan stabilitetin.”