Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me ftesë të homologut të tij finlandez, Antti Häkkänen, kanë zhvilluar një takim në të cilin është diskutuar për zhvillimet e fundit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Ministri Maqedonci e ka njoftuar ministrin Häkkänen rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe e ka informuar rreth zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe nevojës për mbështetje nga partnerët gjatë kësaj periudhe.
“Ministri Häkkänen theksoi se Finlanda do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO, si dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të Ministrisë së Mbrojtjes së Finlandës për të thelluar bashkëpunimin me Republikën e Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për nevojën e vazhdimit të mbështetjes së luftës së drejtë të popullit të Ukrainës, si dhe mundësitë për bashkëpunimin në mes të vendeve në fushën e industrisë së mbrojtjes.
“Në Ministrinë e Mbrojtjes së Finlandës, ministri Maqedonci zhvilloi takime edhe me drejtuesit e Drejtorisë së Politikave të Mbrojtjes dhe Burimeve Materiale. Gjatë vizitës në Finlandë vizitoi edhe Qendrën e Eksellencës së NATO-s dhe BE për kërcënimet hibride (Hybrid CeO). Me drejtoreshën e kësaj qendre diskutuan mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllim përballimin me kërcënimet hibride”, thuhet tutje në njoftim.