Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka takuar homologun e tij polak, WladyslaW Kosinaik- Kamysz, në margjinat e Forumit Defense24, që po mbahet në Varshavë.
Maqedonci ka bërë të ditur se e ka informuar ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Polonisë, Kamysz, rreth situatë së sigurisë në vend dhe në rajon.
“Ministrin Kamysz e informova rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon, gjersa shpreha dhe shqetësimin tim për militarizimin e Serbisë dhe 48 bazat e ushtrisë dhe gjandarmërisë serbe të vendosura përgjatë vijës kufitare me Kosovën, e gjithashtu dyshimin e bazuar me rastin e sulmit në Banjskë që grupet terroriste po mbështeten nga strukturat e sigurisë të shtetit të Serbisë me qëllim për të shkaktuar destabilizimin e Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Ai ka bërë të ditur janë pajtuar për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Polonisë.
“Duke qenë të vetëdijshëm se lufta në Ukrainë kërcënon sigurinë e përgjithshme të Evropës, theksova që Kosova do të vazhdoj të ofroj mbështetjen e pakursyer për Ukrainën brenda kapaciteteve tona shtetërore”, ka shkruar më tej Maqedonci.
Maqedonci së bashku me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti dhe përfaqësues nga FSK-ja, po marrin pjesë në konferencën dyditore “Defence 24 Days”.
Siç thuhet në njoftimin e MPJD-së, kjo konferencë u kushtohet çështjeve që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë, sfidat dhe situatën aktuale dhe të ardhshme gjeopolitike, parandalimin dhe mbrojtjen në epokën e luftës.