Maqedonia e Veriut / Dyshime në rezultatet e regjistrimit të popullsisë

Në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar regjistrimi i popullsisë dhe janë publikuar rezultatet nga Enti Shtetëror i Statistikave (EshS). Pas paraqitjes së këtyre rezultateve, analistët dhe njohësit e proceseve kanë hedhur dyshimet se numrat e publikuar mund të mos jenë të vërtetë, për shkak të mundësisë së kompromisit politik mes partive maqedonase dhe atyre shqiptare në pushtet.

Në rezultatet e paraqitura, 29.52 përqind e popullsisë së Maqedonisë së Veriut kanë dalë të jenë shqiptarë. Një përqindje, e cila pritej të ishte dukshëm më e madhe se kaq. Kështu ndodhi edhe me rezultatet e maqedonasve. Ata pretendonin se përbënin mbi 60 përqind të popullsisë, por sipas publikimit të EshS-së dolën se ishin 54.21 përqind e popullsisë totale në vend.

Gazetari i gazetës Koha në Shkup, Xhenur Iseni për RTV Dukagjini ka thënë se procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoni të Veriut nuk është një proces i rregullt, duke hedhur dyshim në manipulimin e numrave.

“E vërteta është se nuk kemi të bëjmë me një proces të regjistrimit të mirëfilltë. Ndoshta, mund të them se numrat janë të manipuluar dhe nuk përshkruajnë realitetin. Për 20 vite kemi ulje të popullsisë dhe kjo është e pamundur”, ka thënë ai.

Gazetar i gazetës Koha në Shkup, Xhenur Iseni

Iseni thotë se rezultatet e regjistrimit, me dëshirë ose jo, do jenë pasqyra e një realiteti, mbi të cilat tashmë do mbështeten përplot procese.

“Rezultatet kështu siç janë, duhet të sjellin më shumë përgjegjësi, jo vetëm për maqedonasit, por dhe për të tjerët”.

“Paramendoni përqindja e shqiptarëve është më e madhe te qytetarët jorezident, përkatësisht 67 përqind”, u shpreh Iseni.

Ai shtoi tutje se autoritetet duhet të përballen me sfidat serioze, siç janë depolitizomi i institucioneve, përpjekja për të krijuar jetë më të mirë dhe sidomos tentativa për të mos ikur qytetarët.

“Kjo e fundit sidomos, sepse në regjistrimin pas 10 vjetësh, mund të mos jemi të gjithë, as sa jemi dhe tani!”, ka thënë Iseni.

Nga ana tjetër, gazetari Seladin Xhezairi ka thënë se po ti krahasojmë rezultatet e tanishme, me ato të censusit para 20 vjetëve, apo edhe të atij të fillim viteve të 90-ta (1994), kur raporti kishte dalë me 66.5 përqind maqedonas kundrejt 22.9 përqind shqiptarë, ka dalë një pasqyrë mjaft reale për numrin e banorëve.

Seladin Xhezairi, gazetar

Ai shtron edhe disa dilema duke thënë se ky rezultat mund të ketë ndodhur edhe shkaku se a janë regjistruar të gjithë apo jo, a ka pasur ndonjë pazar nën rrogoz ose edhe ky regjistrim mund të ketë reflektuar braktisjen e vendlindjes.

Ndër të tjerash, Xhezairi ka shtuar se është i bindur që kjo përqindje e shqiptarëve mund të jetë shkak që realiteti ndëretnik në Mqedoninë e Veriut të dinamizohet në sensin e përshkallëzimit të kërkesës për ndryshimin e Kushtetutës dhe heqjen e atij “pragut të 20përqind – shit’’, që për palën maqedonase është përcaktues dhe kufizues për shumë të drejta.

“Nga rezultatet, shqiptarët dolën pa shqetësime në kryeqytetin e vendit, në Shkup, por edhe në Krushevë e Veles që, pavarësisht kritikave dhe vërejtjeve që janë dëgjuar ose mund të dëgjohen, provojnë se shqiptarët në këtë vend janë hisedarë’’, ka thënë Xhezairi.

Një burim tjetër i RTV Dukagjini-t brenda institucioneve qeveritare në Shkup, gjithashtu ka thënë se për numrat e pasqyruar nga Enti i Shtetëror i Statistikave, ka pasur një lloj “dakordance” mes faktorëve politikë maqedonas dhe atyre shqiptarë.

Të mërkurën e 30 marsit, kanë dalë rezultatet e regjistrimit të popullsisë, ku popullsia e regjistruar është 2 milion e 97 mijë e 319 qytetarë, me popullsi rezidente 1 milion e 836 mijë e 713 qytetarë dhe 206 mijë e 606.Popullsi rezidente janë 1 milion e 836 mijë e 713 qytetarë, ndërsa 206 mijë e 606 janë jorezidentë.

Nga 2 milion e 97 mijë e 319 qytetarë të regjistruar, 54.21 për qind ose 1 milion e 137 mijë e 30 janë deklaruar maqedonas, 619 mijë e 187 ose 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.36 romë, 1.18 serbë, 0.87 boshnjakë dhe 0.44 vllehë, thuhet ndër të tjera në paraqitjen e raportit të EShS-së mbi regjistrimin e popullsisë.

Sa i përket popullsisë jorezidente, shqiptarët përbëjnë komunitetin më të madh me 66.36 për qind ose 172 mijë e 942 pasuar nga maqedonasit me 63 mijë e731 qytetarë ose 24.45 për qind.

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, maqedonasit janë komuniteti më i madh sipas raportit të EShS-së me 58.71 për qind, pasuar nga shqiptarët me 22.85 përqind, ndërsa komuniteti i tretë më i madh në kryeqytet janë romët me 3.51 përqind.

Nëse krahasohet regjistrimi i popullsisë i vitit 2002 me regjistrimin e fundit, del se në 2002-shin kanë qenë 1 milion e 297 mijë e 981 maqedonas, ndërsa në numrin e përgjithshëm për vitin 2021 rezulton se janë 1 milion e 137 mijë e 30, përkatësisht 160 mijë e 951 qytetarë maqedonas më pak.

Kurse shqiptarët, sipas numrit të përgjithshëm të popullsisë të vitit 2002, rezulton të kenë qenë 509 mijë e 83, ndërsa në regjistrimi e fundit janë gjithsej 619 mijë e 187, që i bie 110 mijë e 104 shqiptarë më shumë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika