Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka shpalosur pesë pikat kryesore të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, pasi të mërkurën Qeveria miratoi nismën për lidhje të Marrëveshje Kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me SHBA-në.
Maqedonci bëri të ditur se kjo marrëveshje parasheh thellimin e bashkëpunimit dhe fuqizimim në fushën e mbrojtjes në bashkëpunim me SHBA-në.
“Kjo marrëveshje parasheh pesë pika: Planifikimin dhe qeverisjen e mbrojtjes – pra SHBA-ja do të mbështesë planifikimin profesional të mbrojtjes dhe qeverisjes së mbrojtjes. Menaxhimi i resurseve humane dhe të mbrojtjes, ndërtimi i kapaciteteve strategjike ushtarake – duke përfshirë edhe mbrojtjen ajrore dhe fushat e tjera për të cilat jemi duke tentuar t’i ndërtojmë në fazën e tretë të tranzicionit”, ka thënë Maqedonci.
“Bashkë me SHBA-në do të ndërtojmë plane për anëtarësimin në NATO dhe iniciativat regjionale. Do të na mbështesin në aspektin teknik, procedural”, ka shtuar ai.
Pika e pestë, sipas Maqedoncit, është mbështetja në aspektin e implementimit të elementeve kyç të mbrojtjes, atë të qëndrueshmërisë strategjike.
“Do ndihmojë vendin për qëndrueshmëri kolektive edhe jashtë ushtrisë, te qytetarët”, ka deklaruar ai.
Ministri vlerësoi lart gatishmërinë e SHBA-në për këtë marrëveshje të rëndësishme për vendin tonë.
Maqedonci paralajmëroi gjatë javës së ardhshme një ngjarje të rëndësisë së madhe, një iniciativë regjionale me Shqipërinë – për të cilën ka thënë se është e para në Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë, sa i përket raketave Javelinë, ai ka thënë se janë duke u ekzekutuar pagesat dhe Kosova do t’i ketë me kohë ato.
Pas këtij hapi marrëveshja do të finalizohet në përputhje me dispozitat e Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare.