“Nesër për mua është një ditë shumë e veçantë që kisha pas qejf që babën me pasë që me shku e me bo përhajër për nusen time që nesër fejohem. E kisha pas qejf që edhe ai me qenë me ardhë me më thanë për hajër, për hajër djali im, po çka të bëjsh jeta vazhdon”,
Kështu është shprehur i mbijetuari i masakrës, Guxim Gjocajn, të cilin me babanë i ndau lufta. Nga Juniku nëpër malet e Gjakovës, atë kohë 2 vjeç bashkë me familjen e nisën rrugëtimin që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e tij.
“E ka pasur në dorë duke e mbajtë dhe kanë ardhur serbët ia kanë kapur prej dorës edhe ia kanë gjujt në tokë edhe e kanë marrë atë me dhunë edhe e kanë bashkangjitur me pjesën tjetër të njerëzve”, është shprehur ai.
Guximi ishte shumë i ri në moshë, për çka thotë se më shumë e kishte tronditur atë kohë pamja e Shemsije Hoxhës, të cilës serbët ia rrëmbyen nga duart dy djemtë dhe burrin.
“Dy fëmijët edhe burrin më falni, më kujtohet, hala më doket që e dëgjojë zanin e fëmijëve të saj, e dëgjojë thirrjen e djalit të saj që i thotë ‘oj nanë mos më le, mos më le pash Zotin”, ka thënë tutje ai.
I rritur me traumat e luftës, Guximi nisi ta ndjejë mungesën e babait, e bashkë me familjes filluan ta kërkojnë.
“E mbajë mend shumë mirë kur nana kishte hy në vendin e masakrës edhe më kujtohet kur nana e kapë me e rrotullu një person që me shiqu mos është burri i saj, baba im edhe në atë rast kur mundohet me tërheqë një gjymtyrë e tij i mbetë në dorë”, është shprehur ai.
Tek në vitin 2004 në Batajnicë u gjetën eshtrat e babait, moment mjaft i vështirë për 8 vjeçarin që ishte rritur me pamjet e tmerrit e pa ngrohtësinë e babës.
“Për mu personalisht ka qenë shumë e vështirë atë kohë ka qenë aq e vështirë sa që nuk kam dashtë me ardhë në varrim, tu dashtë me besu që është gjallë tu dashtë me besu që ka me iu kthy prap familjes”, ka thënë Gjocaj.
Edhe Zizë Malushaj përmallet për djalin. 24 vjet për çdo përvjetor, mbi gurin e varrit i vendos lule e si hiqen lotët nga sytë.
“Djali ka qenë në Rracaj te motra grup janë kanë qashtu, ma s’kam ditë gja për ta…Masi e kam qitu gjithë mërzi e kaj nuk e kam të hupun e të tretun. Për vend të vetin për vatan të vetin ka shku gjithë mërzija për mua është”, është shprehur Malushaj.
Mijëra rrëfime rreth 377 varreve, djem, nëna e të afërm si Idriz Mehmeti kujtojnë të afërmit, në këtë rast nipin të cilin e pagëzoi me emër e mburrej me të për suksese në shkollë.
“Këta kanë mbetë i kanë vra me gjithë të tjerët, kjo është masakra më e madhe që ka ndodhë ne Kosovë. Unë gjithmonë kam thënë Srebrenica e Kosovës është Meja”, ka thënë Mehmeti.
Edhe për masakrën të cilën po e krahason me Srebrenicën, sikurse për masakrat tjera kriminelët që e kryen atë dhe urdhërdhënësit nuk janë dënuar.