Dhimbja i shtohet, e anëtarët e familjes i mungojnë çdo ditë e më shumë, Fadil Muqollit, të cilit forcat serbe 24 vjet më parë, i vranë gruan, 4 fëmijët, prindërit e familjarë të tjerë.
Kujtimet e dëshmitë e 53 anëtarëve të familjes, që frymën e fundit e dhanë në këtë shtëpi tre katëshe, i ruan ende me shumë kujdes, tek thotë se po mundohet të qëndrojë i fortë.
Fadil Muqolli, familjar ka thënë se “Është shumë e vështirë për neve me shpreh atë se cka na mungon, neve na mungojnë si anëtarë të familjes por jemi krenar se sado pak kemi kontribuar për lirin që e kemi, por duhet të e ruajmë këtë liri dhe të mos e harrojmë të kaluarën”.
Atë se çfarë përjetoi brenda këtyre mureve, nuk po mund ta heq nga mendja Lumnije Muqolli, e cila arriti t’i shpëtojë masakrës së 17 prillit të 1999, bashkë me vajzën 3 muajshe në krahë.
Lumnije Muqolli, e mbijetuar e masakrës në Poklek ka thënë se “Kur e kam pa veten kur jam çu e kam pa të përgjakur, vetë jam e plagosur në dore, edhe e kam pas çikën në dore dhe nuk e kam dit a është gjallë ajo edhe jam qu kam thënë qohuni kush jeni të gjallë, edhe qaty me ka ardh një forcë, por kur jam mundu me u çu nuk kam mujt, s’kam mujt as me ju dhënë ndihmë askujt”.
Lumnija së bashku me Fadilin edhe në këtë përvjetor thirrjen për institucionet e kanë të njëjtë, sepse edhe më tutje nuk janë vënë para drejtësisë kryerësit e kësaj masakre.
Por, për dëshmitë që i rezistuan kohës, nuk u interesua askush nga institucionet hetuese vendore.
Fadil Muqolli, familjar ka thënë tutje se “Sot e kam përvjetorin e familjes, është përvjetori i 53 njerëzve të vrarë më duhet të them edhe pse më dhemb zemra e shpirti, por drejtësia është në komë, uroj që do intervenojnë institucionet dhe do të bëhet diçka, sepse nuk duhet të e harrojmë të kaluarën sepse kur e harrojmë të kaluarën nuk kemi të ardhme”.
53 anëtarë të familjes Muqolli, Cerraku, Elshani dhe Hoxha, u vranë e më pas trupat e tyre u dogjën brenda kësaj shtëpie, prej tyre 23 fëmijë, më i vogli 6 muajsh.