Lirim Krasniqi nga organizata joqeveritare GERMIN ka komentuar për procesin e transportimit dhe verifikimit të materialeve zgjedhore nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës në diasporë.
Më 8 shkurt, në 19 shtete të ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, 20 mijë e 324 shtetas të Kosovës të cilët gjatë regjistrimit kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi, do të mund të votojnë nga ora 07:00 deri në 19:00, sipas kohës lokale të shtetit përkatës.
Krasniqi ka thënë se është problem “organizimi i ad-hoc” i KQZ-së për transportimin e materialeve zgjedhore, pasi procesi i parashikuar për të realizuar transportin nga një kompani e jashtme nuk është realizuar.
Megjithatë, Krasniqi ka shtuar se procesi i transportit nga përfaqësitë diplomatike deri në Qendrën e Numërimit të Rezultateve në Fushë Kosovë është sigurt deri diku.
Ai ka theksuar se nuk ka garanci shtesë që do të mund të sigurojë një proces pa manipulime.
“I vetmi problem është transportit nga përfaqësitë diplomatike në Kosovë. Sepse ky proces supozohej të bëhej nga një kompani e jashtëm, që do të kontraktohej nga KQZ. Mirëpo në këtë rast është një organizim ad-hoc i KQZ-së për të transportuar materialet zgjedhore dhe fletëvotimet. Nga momenti kur tërhiqen fletëvotimet nëpër përfaqësitë diplomatike deri në Qendrën Numërimeve dhe Rezultateve në Fushë Kosovë,ky është një proces më i sigurti i mundshëm.
Secila kuti dhe thes me materialet zgjedhore e ka një element të siguri me një kod unik. Kodi merret sapo të mbyllen qendrat e votimeve në diasporë. Dhe e vetmja mënyrë e verifikimit është se ato kur të vijnë në Kosovë të verifikohet, a është i njëjti kod unik, me atë që është në momentin e mbylljes. Nëse ka mos përputhje të kodeve në kutitë të votimeve kur vijnë Kosovë, sipas rregullave të KQZ-së duhet të shpallen të pavlefshëm. Mirëpo për tej kësaj nuk ka ndonjë garanci shtesë, e cila do të mund ta siguron procesin të mos cenohej”, ka shtuar Krasniqi.
Në FIVE të Dukagjinit, Krasniqi ka komentuar një rast që ka ndodhur në Kroaci, ku është vërejtur mungesa e përfaqësuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) gjatë tërheqjes së materialeve zgjedhore.
Sipas Krasniqit, ka qenë stafi i ambasadës që ka realizuar tërheqjen e zarfeve pa praninë e KQZ-së – gjë që do të ndikojë në vlefshmërinë e fletëvotimeve, pasi ato mund të shpallen të pavlefshme në momentin kur arrijnë në Kosovë.
Dyshimet për keqpërdorim të fletëvotimeve në Zagreb, Prokuroria nis hetimet ndaj Martin Berishajt
Radoniqi: Zyrtarisht nuk e dimë çfarë ka ndodhur lidhur me raportimet për votat në Kroaci
“Rasti me Kroacinë ka qenë problem, i cili nuk i ka përfillë këto rregullat e KQZ-së për tërheqjen e materialeve zgjedhore. Pra kanë munguar përfaqësuesit e KQZ-së në momentin kur janë bërë tërheqje t edisa zarfeve me fletëvotimeve. Mirëpo nuk është siç është paraqitur në media, pasi nuk është ambasadori që e bën këtë punë. Ka qenë stafi i ambasadës në këtë rast që e ka bërë tërheqjen e disa zarfeve, pa prezencën e KQZ-së. Dhe ka shumë gjasë që ato fletëvotime që janë pranuar në atë mënyrë në ambasadën në Kroaci, të shpallen të pavlefshme në momentin kur vijnë në Kosovë”, ka thënë Krasniqi në FIVE.