Për herë të parë në Vilnius u mbajtën konsultimet politike mes ministrive të Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Lituanisë.
Në këtë takim, nën drejtimin e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe zëvendësministres për Punë të Jashtme, Jovita Neliupšienė, u diskutua për zhvillimet e fundit dhe progresin që ka shënuar Kosova në dy vjetët e fundit.
Po ashtu, përgjatë takimit u diskutua edhe për ngritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe ambientit.
“Në kuadër të marrëdhënieve multilaterale, u bisedua lidhur me agjendën evropiane të Kosovës, si dhe mbështetjen që mund të ofrojë Lituania përgjatë procesit integrues të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, agresioni i paprovokuar i Rusisë mbi Ukrainën ishte një nga temat kyçe të takimit.
Të dyja palët diskutuan ndikimin e këtij agresioni në rajonet përkatëse dhe rëndësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Federatës Ruse.
Ndër të tjera, zëvendësministri Ahmeti e falënderoi homologen për mbështetjen e vazhdueshme të Lituanisë për Kosovën dhe të dy u pajtuan që të thellojnë bashkëpunimin mes të dyja vendeve.