Gjatë qëndrimit në Portugali, delegacioni i Kosovës i cili përbëhet nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, zëvëndësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Portugali, Ylber Kryeziu, është pritur në Lisbonë nga kryetari i Parlamentit të Portugalisë, Augusto Santos Silva.
Ky takim është zhvilluar në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës, e cila po mbahet në Portugali nga 19 deri më 24 mars.
“Ministrja Gërvalla shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet shumë të mira dhe nivelin e bashkëpunimit mes Portugalisë dhe Kosovës, veçanërisht në fushat si kultura, arsimi dhe turizmi. Ajo gjithashtu vuri në pah mbështjetjen e fuqishme të Portugalisë në rrugën euroatlantike të Republikës së Kosovës, duke shprehur falënderim të veçantë për bashkëpunimin e ngushtë në realizimin e javës së kulturës së Kosovës në Portugali”, njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Kreu i Parlamentit të Portugalisë ka shprehur vlerësimin e tij për lidhjet e forta dypalëshe në mes të dyja vendeve dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe dialogut për të adresuar sfidat e përbashkëta si siguria, sundimi i ligjit dhe perspektiva evropiane, jo vetëm për Kosovën, por për rajonin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.
“Takimi i ngrohtë dhe miqësor përfundoi me dakordimin për të thelluar bashkëpunimin mes dy shteteve dhe në mënyrë të veçantë mes dy parlamenteve për të forcuar më tej marrëdhëniet dhe për të promovuar prosperitetin dhe zhvillimin e ndërsjelltë”, thuhet tutje në njoftimin e MPJD-së.