Të hënën e 11 korrikut, në qytetin e Prizrenit është mbajtur një marsh i paqes në 27 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.
Kjo është hera e pestë, që në Prizren mbahet marsh paqeje në nderim të viktimave të gjenocidit.
Edis Jonuzi – organizator i marshit, ka thënë se rënia e burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë nuk do të harrohet asnjëherë.
“Sot nuk jemi në Potoçari me nënat e Srebrenicës, por ato janë në zemrat dhe mendjet tona. Prandaj, nga këtu, ne boshnjakët, shqiptarët, turqit, romët dhe të tjerët nderojmë viktimat”, është shprehur Jonuzi.
Pjesë e këtij marshi ishte edhe kryetari i komunës së Prizrenit, Shqair Totaj.
Pos tij, marshit i ishin bashkuar edhe pjesëtarët e komunitetit boshnjak dhe përfaqësues të komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë.
Ndërkaq, në marsh mori pjesë edhe boshnjakë nga Novi Pazari dhe ambasadori i turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.
“Po vazhdojmë të bëjmë përpjekje për të krijuar paqe dhe stabilitet në gjithë Ballkanin dhe më gjerë, në mënyrë që masakrat e së kaluarës të mos përsëriten”, ka thënë Sakar.
Ndërkaq, përmes një postimi në llogarinë e saj në Tëitter, presidentja e Kosovës ka përkujtuar të vrarët në masakrën e Srebrenicës nga forcat serbe në vitin 1995.
Ajo ka thënë se, “27 vjet pas gjenocidit të Srebrenicës , ne kujtojmë 8,372 djemtë dhe burrat boshnjakë të vrarë pa mëshirë nga forcat serbe”.
Po ashtu, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa e ka kujtuar masakrën e Srebrenicës, ka thënë se Serbia paturpshëm e mohon gjenocidin në këtë vend.
“Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por ai mund të njihet duke u pranuar. E në kohën kur jetojmë ne, viktimave u vendoset kripë në plagë secilën ditë kur gjenocidi i Srebrenicës mohohet paturpshëm nga Serbia”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ndryshe, më shtatë korrik të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës, kishte miratuar Rezolutën, për Srebrenicën, i cili dënon gjenocidin e regjimit serb ndaj pjesëtarëve të kombit boshnjak.
Në vitin 2017, Gjykata Ndëkrombëtare në Hagë kishte thënë se në Srebrenicë ishte kryer gjenocid.
Ndërkaq, më tetë qershor të vitit 2021, gjyqtarët e gjykatës së OKB-së, kishin konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, i cili ishte shpallur fajtor për gjenocid në Srebrenicë.