Të hënën, më 18 nëntor, në Prishtinë do të mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, delegacionet e dy qeverive pritet të mbërrijnë në kryeqytet nga ora 10:30 deri në 10:45.
Takimi do të nisë me një ceremoni zyrtare dhe fotografinë e përbashkët të dy liderëve, kryeministri Albin Kurti dhe homologut të tij, Hristijan Mickoski.
Pas ceremonisë, dy kryeministrat do të zhvillojnë një takim bilateral, që do të pasohet nga bisedime të tjera mes ministrave të dy qeverive.
Gjatë mbledhjes pritet të nënshkruhen disa marrëveshje bilaterale, që do të kontribuojnë në avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Pas nënshkrimit, të dy liderët do të mbajnë një konferencë për media.
Takimi do të përfundojë me një drekë zyrtare.