Mbërrijnë në Katar pesë të burgosurit amerikanë të mbajtur në Iran

Pesë shtetas amerikanë që mbaheshin të ndaluar në Iran, arritën në Katar të hënën, në shkëmbim të pesë iranianëve të ndaluar në Shtetet e Bashkuara

Pesë shtetas amerikanë që mbaheshin të ndaluar në Iran, arritën në Katar të hënën, në shkëmbim të pesë iranianëve të ndaluar në Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve mes dy vendeve kundërshtare u ndërmjetësua nga Katari. Në marrëveshje gjithashtu përfshihet edhe zhbllokimi i fondeve iraniane prej 6 miliardë dollarësh nga një bankë koreanojugore.

Një aeroplan i Katarit i transportoi pesë shtetasit amerikanë dhe dy të afërm të tyre nga Teherani, menjëherë pasi të dy palët u njoftuan se fondet ishin transferuar në llogari bankare në Doha, tha për agjencinë e lajmeve Reuters një burim me dijeni për këtë çështje.

Shkëmbimi u bë ndërsa është shtuar prania e forcave ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit Persik, me mundësinë edhe të vendosjes së tyre në bordin e anijeve tregtare, me synim ruajtjen e tyre ndërsa përshkojnë Ngushticën e Hormuzit, nga e cila kalojnë rreth 20% e ngarkesave me naftë të botës.

“Sot, pesë amerikanë të pafajshëm që ishin burgosur në Iran, po vijnë më në fund në shtëpi”, u shpreh Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden në një deklaratë të publikuar në momentin e mbërritjes së avionit në Doha.

Pasi avioni mbërriti, tre nga të liruarit: Siamak Namazi, Emad Sharghi dhe Morad Tahbaz, u pritën nga ambasadori amerikan në Katar, Timmy Davis.

Në një deklaratë të bërë në emër të tij, njëri prej të liruarve, Siamak Namazi, shprehet se: “Nuk do të isha i lirë sot, nëse nuk do të ishit të gjithë ju që nuk ia lejuat botës të më harrojë. Ju falënderoj që ishit zëri im kur unë nuk flisja dot për veten dhe që u siguruat që unë të dëgjohesha kur gjeja fuqinë për të bërtitur nga brenda mureve të papërshkueshëm të Burgut Evin”.

Namazi ishte arrestuar në vitin 2015 dhe u dënua me 10 vite burgim me akuza spiunazhi. Emad Sharghi është një sipërmarrës në fushën e investimeve të kapitalit që gjithashtu ishte dënuar me 10 vite burgim. Morad Tahbaz ishte arrestuar në vitin 2018 dhe gjithashtu ishte dënuar me 10 vite burgim. Zyrtarët amerikanë nuk kanë identifikuar dy të liruarit e tjerë.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken falenderoi autoritetet e Katarit, Zvicrës, Koresë së Jugut dhe Omanit që ndihmuan për këtë shkëmbim dhe u zotua në një deklaratë se do të këmbëngulë për “llogaridhënie nga Irani dhe regjimet e tjera për praktikën e egër të ndalimit të paligjshëm”.

Marrëveshja për shkëmbimin ka krijuar tashmë hapësira të reja kritikash ndaj Presidentit Biden nga republikanët dhe të tjerë që thonë se administrata e tij po ndihmon ekonominë e Iranit në një kohë kur Irani përbën një rrezik të madh për forcat amerikane dhe aleatët në Lindjen e Mesme. Marrëveshja mund të ketë edhe pasoja tek fushata e tij elektorale për t’u rizgjedhur president.

Në deklaratën e tij, Presidenti Biden u bëri thirrje amerikanëve të mos udhëtojnë drejt Iranit dhe kërkoi që të jepet më shumë informacion për fatin e Bob Levinsonit, një shtetas amerikan që u zhduk vite më parë. Presidenti Biden gjithashtu njoftoi sanksione të reja ndaj ish-Presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad dhe ndaj Ministrisë iraniane të Zbulimit.

Në të njëjtën kohë, dy nga pesë iranianët e ndaluar në Shtetet e Bashkuara mbërritën në Katar, tha një zyrtar amerikan. Tre të tjerë kishin kërkuar të mos ktheheshin në Iran.

Zhbllokimi i fondeve mundësoi shkëmbimin e të burgosurve në bazë të një marrëveshje të arritur pas disa muaj bisedimesh mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Dy vendet kanë mosmarrëveshje të thella lidhur me ambiciet bërthamore të Teheranit dhe çështje të tjera.

Pesë amerikanët me shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe iraniane, do të dërgohen me avion nga Doha drejt Shteteve të Bashkuara. “Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore”, tha një zyrtar iranian me njohuri mbi procesin e lirimit të të burgosurve amerikanë.

Më herët, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se dy nga pesë iranianët e liruar do të ktheheshin në Teheran, ndërsa dy do të qëndrojnë në SHBA me kërkesën e tyre. Një i burgosur do t’i bashkohej familjes së tij në një vend të tretë, shtoi ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani tha se fondet, të bllokuara në Korenë e Jugut pasi sanksionet amerikane ndaj Iranit u ashpërsuan në vitin 2018, do të jenë në dispozicion të Teheranit të hënën. Sipas marrëveshjes, Katari do të sigurojë që fondet të përdoren për blerjen e mallrave për qëllime humanitare./VOA

Shija e redaktorit

Edi Rama merr dhuratë nga Rexhep Selimi: Ma përcolli sot...

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka marrë dhuratë një pikturë me përkrenaren e Skënderbeut nga Rexhep Selimi. Në një postim në rrjetet sociale<a href="http://<iframe src="https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fediramaal%2Fposts%2Fpfbid02PQ6a5X5tJPRH6vFVLUxs9rQnDsKmcvppdUZMx7anrnr2hL4B3rkAacb8eHe9So3el&show_text=true&width=500"...

Mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve, Kosovë – Shqipëri mbyll...

Mbledhja e përbashkët e parlamenteve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë i ka përmbyllur sot punimet e saja të cilat i zhvilloi...

Osmani: Shqipëria dhe Kosova, dy pjesë të pandashme të një...

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të pandashme që janë pjesë e një kombi të madh. Ajo...

Të fundit nga rubrika