Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, ka njoftuar 1,133 persona janë arrestuar që nga fillimi i protestave kundër arrestimit të Ekrem Imamoglut.
Protestat filluan të mërkurën për të kundërshtuar ndalimin e këtij rivali të presidentit Rexhep Tayyip Erdogan, i cili u arrestua zyrtarisht të dielën nën akuzat për korrupsion.
Yerlikaya ka theksuar se çdo tentativë për të turbulluar rendin dhe sigurinë e vendit do të përballet me ndëshkime të ashpra, duke shtuar se “terrorizimi i rrugëve dhe kërcënimi për paqen dhe sigurinë e kombit tonë nuk do të tolerohen”.
Protestat kundër arrestimit të Imamoglut, që ka qenë një kritik i ashpër i Erdoganit, janë shoqëruar edhe me arrestime të gazetarëve.
Raportohet se rreth 10 gazetarë janë ndaluar gjatë mbulimit të protestave në mbështetje të Imamoglut, duke theksuar tensionet në lidhje me lirinë e shtypit në Turqi.
Gjykata e ka hedhur poshtë akuzën për lidhje të Imamoglut me organizata terroriste, por tensionet mbeten të larta në vend./BBC