Më shumë se 1 milion njerëz kanë ikur nga Sudani në shtetet fqinje gjersa numri i rezervave ushqimore vazhdon të bjerë e me të po rritet numri i vdekjeve për shkak të mungesës së kujdesit shëndetësor pas katër muajsh lufte, kanë thënë Kombet e Bashkuara.
Luftimet midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) kanë shkatërruar kryeqytetin Khartoum dhe kanë shkaktuar sulme etnike në Darfur, duke kërcënuar të zhysin Sudanin në një luftë të zgjatur civile dhe të destabilizojnë rajonin.
“Koha po ikën që fermerët të mbjellin të korrat që do t’i ushqejnë ata dhe fqinjët e tyre. Furnizimet mjekësore janë të pakta. Situata po del jashtë kontrollit”, thanë agjencitë e OKB-së në një deklaratë të përbashkët.
Siç raporton “The Guardian“, lufta ka bërë që 1,017,449 njerëz të kalojnë nga Sudani në vendet fqinje, shumë prej të cilëve tashmë po luftojnë me ndikimin e konflikteve apo krizave ekonomike, ndërsa të zhvendosurit brenda Sudanit vlerësohet të jenë 3,433,025, sipas shifrave të fundit javore të publikuara nga Organizata Ndërkombëtare e OKB-së për Migrimi (IOM).
Luftimet në Sudan shpërthyen në prill mbi tensionet e lidhura me një tranzicion të planifikuar drejt sundimit civil, duke i ekspozuar civilët në kryeqytet dhe më gjerë ndaj betejave dhe sulmeve të përditshme.
Miliona që mbeten në Khartoum dhe qytete në rajonet e Darfur dhe Kordofan janë përballur me plaçkitje të shfrenuar dhe ndërprerje të gjata të energjisë, komunikimeve dhe ujit.
“Eshtrat e shumë prej të vrarëve nuk janë mbledhur, identifikuar apo varrosur, por OKB vlerëson se më shumë se 4,000 janë vrarë”, tha Elizabeth Throssell, zëdhënëse e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, në një konferencë në Gjenevë.
Raportet e sulmeve seksuale janë rritur me 50 për qind tha zyrtarja e fondit të popullsisë së OKB-së, Laila Baker.
Luftimet nisën më 15 prill për shkak të mosmarrëveshjeve mes dy gjeneralëve lidhur me planet që Forcat e Mbështetjes së Shpejtë t’i bashkohet ushtrisë dhe se kush do ta udhëheqë ushtrinë e re.
Si pasojë e luftimeve, qindra persona janë vrarë.