Policia e Kosovës ka bërë të ditur se deri në muajin tetor të vitit 2022, janë raportuar 2 mijë e 273 raste të dhunës në familje.
Në një përgjigje për Ekonomia Online, policia ka sqaruar se në 1 mijë e 897 raste, viktimat kanë qenë gra, dhe 433 raste viktima kanë qenë burra.
Qendra për Punë Sociale në Prishtinë, ka mohuar akuzat për mungesë të punës e të reagimit në rastet e dhunës në familje.
Drejtori i kësaj qendreje, Vebi Mujku, ka treguar se nuk ka vend për akuza për shkak se ata punojnë vazhdimisht e madje janë të parët që dalin në çdo rast.
“Jo nuk ka asnjëherë vend në Qendrën për Punë Sociale akuza për mospunë ose mosreagim, për shkak se ne jemi të parët të cilët dalim në secilin rast. Ne e kemi të rezervuar edhe kemi kontratë me shërbimin e taksit, me të cilët në çdo kohë, neve na çojnë brenda 5 minutave në Polici, ne kemi një punëtor kujdestar 24 orë”, është shprehur Mujku.
Tutje, ai ka thënë se QPS bashkëpunon me të gjitha institucionet, ku me Policinë e Kosovës kanë bashkëpunim kyç.
“Në bashkëpunojmë me të gjitha institucionet, bashkëpunimi kyç është me Policinë e Kosovës për shkak se intervenojmë qysh në fillim”, ka shtuar ai.
Po ashtu, Mujku ka folur edhe për strehimoren e viktimave të dhunës në familje, duke thënë se është e mbushur plot shumicën e kohës, dhe se e kanë rinovuar vitin e kaluar.
“Strehimorja ka kushte, për momentin e kemi rinovuar strehimoren vitin e kaluar, i kemi krijuar kushtet jashtëzakonisht të mira”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, sipas tij, ata dëshirojnë që të kenë sa më pak raste në strehimore, “po fatkeqësisht strehimorja pothuajse është gjatë tërë kohës me kapacitet të plotë”.