Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Policisë së Kosovës, në një përgjigje për Portali Dukagjini kanë dhënë më shumë informacione rreth vetëvrasjeve në Kosovë.
Ky institucion ka treguar se policia heton rastet e vetëvrasjeve kur kanë të bëjnë me vepren penale “shtyrja në vetëvrasje” dhe kur ka të dhëna se është konsumuar vepra penale e “ndihma në vetëvrasje”.
“Sa i përket gjinisë dhe moshës së viktimave të rasteve të vetëvrasjeve, nuk mund të themi se është një moshë e caktuar që dominon, edhe pse raste pak më të shpeshta janë ato me viktima të moshave nga 18 deri 40 vjeçare”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Sipas policisë, viktimat e gjinisë mashkullore prijnë në kryerje të këtij akti, kurse për rastet e mbetura në tentativë ka më shumë raste të gjinisë femërore.
“Ne si polici, si në çdo paraqitje tonë, shfrytëzojmë rastin që përmes mediave të apelojmë për raste të ndryshme”.
ZIMP ka shtuar se për rastet e tentimvetëvrasjes u bëjnë ape atyre që kanë informata se persona të caktuar me probleme, që gjenden në një hidhërim të thellë dhe depresion të lajmërojnë institucionet përkatëse, përfshirë Policinë e Kosovës.
“Edhe pse puna rehabilituese, këshilluese u takon institucioneve, profesioneve të tjera, ne do ta adresojmë problemin atje ku duhet në mënyrë që të kemi sa më pak raste të tilla”, thuhet në përgjigjen e ZIMP-së.
Ndërsa sociologu, Jeton Brajshori për Portali Dukagjini ka treguar se arsyet pse njerëzit në Kosovë bëjnë vetëvrasje janë të konsiderueshme. Arsyet kryesore sipas Brajshorit janë problemet me shëndetin mendor, problemet ekonomike dhe problemet ndërmjet të dashuruarve.
“Pra, problemet mendore duke e përfshirë depresionon si shkaktar ndoshta kryesor për kryerjen e vetvrasjeve, që fatkeqësisht po ndodh shpesh te personat e moshave të reja”, ka thënë Jeton Brajshori.
Sociologu tregon se problemet ekonomike dhe shoqërore janë faktor kyç në rastin e vetvrasjeve. Shkalla e lartë e papunësisë krijon probleme brenda familjeve, mungesa e të hyrave krijon pasiguri të madhe dhe shkakton vazhdimisht grindje brenda familjes dhe shpesh kulminon me vetëvrasje nga personi, i cili këtë e sheh të vetmen zgjidhje nga problemet.
Brajshori ka shpjeguar se personat introvertë janë më të prirë për vetëvrasje, sepse nga shoqëria shihen si asocialë dhe janë shpesh pre e bullizmit.
Brajshori vazhdon të shpjegojë se vetëvrasja nuk i zgjidh problemet, por vetëm se i shton ato për familjarët e personit, duke përfshirë faktin se familjarët e viktimës gjithmonë do të paragjykohen nga shoqëria për rastin që ka ndodhur.
“Vetëvrasja konsiderohet edhe egoizëm, sepse nuk mendojmë për pasojat që i lëmë më pas, por vetëm për zgjidhjen e problemit personal. Problemet zgjidhen përmes komunikimit, komunikimi i hershëm në familje bën që shumë probleme të mos ndodhin fare ose pasojat të jenë më të lehta, sepse ngrohtësia familjare dhe mirëkuptimi brenda saj janë esenciale për zhvillimin e personalitetit”.
Fenomeni i vetëvrasjeve sipas Brajshorit në të gjithë botën pritet të shënojë rritje. Në rritjen e këtij fenomeni global ndikon varësia nga rrjetet sociale, imitimi i njerëzve me influencë dhe në fund kur personat janë të vetëdijshëm se nuk kanë arritur asgjë, kjo dërgon në depresion dhe vetëvrasje.
Sociologu Brajshori tregon se rrjetet sociale janë shkaktarë të depresionit, sepse shumë persona ofendohen dhe përqeshen në to, kjo ndikon në shendetin mendor sidomos te personat në adoleshencë, të cilët janë më të thyer në këtë moshë delikate.
“Organet kompetente duhet të merren më seriozisht për këtë duke ofruar “help line“ 24 orë për personat me probleme dhe të kenë kushte më të mira të rehabilitimit”, ka përfunduar Jeton Brajshori.
Kurse, psikologu Arsim Mustafa për Portali Dukagjini ka thënë se arsyet e vetëvrasjes janë të llojeve të ndryshme, sepse çdo shoqëri ka karakteristikat e veta.
Disa arsye kryesore sipas Mustafës janë: shoqeria dhe ndikimi i saj në devijimin e sjelljes, normat sociale, qëllimet, mungesa e përkrahjes sociale, ekonomike, integrimi në shoqëri, depresioni, stresi, stigmatizimi, stresi postraumatik te periudhat e konflikteve e të tjerë.
“Patjetër që vetëvrasjet janë faktorë shqetësues në aspektin psikologjik dhe më gjerë. E ardhmja e vetëvrasjeve nëse nuk kemi bashkëpunim dhe të kemi institucione që këto shqetësime shoqerore të ulen ose minimizohen, fatkeqësisht do të kemi rritje në të ardhmen”, ka thënë psikologu Mustafa.
Arsim Mustafa shpjegon se duhet të ketë bashkëpunim në mes nivelit qendëror dhe atij lokal duke krijuar politika për parandalimin e vetëvrasjeve dhe higjienes mentale të shendetit mendor përmes institucioneve, organizatave, faqeve në rrjetet sociale e të tjerë.
Sipas psikologut, përmes këtyre formave mundësohet integrimi në shoqëri, vetëdijësimi dhe adaptimi në rrethana dhe situata të krijuara.
“Sa i përket përvojës dhe seancave psikologjike të këtij lloji, kam pasur dhe rrefimet e tyre, të cilat kanë qenë tepër emocionale, duke u përballur me zhgënjime, dështime, pa shpresë, pa rrugëdalje. Gjatë rrugëtimit të tyre, janë përballur me bllokim, izolim, paragjykime, stigmatizim e shumë të tjerë”.
Psikologu, Arsim Mustafa ka përfunduar duke thënë se grupmoshat që përballen me vetëvrasje varijojnë nga mosha 18 deri te 40. Por, sipas tij, kjo grupmoshë nuk mund të përcaktohet si kufi moshe, sepse mund të ketë edhe mosha të tjera por më të rralla në numër.