Për 468 nxënës me nevoja të veçanta, në Komunën e Prishtinës, janë të punësuar vetëm dymbëdhjetë asistentë profesionalë.
Nga kjo Komunë, thonë se ky numër është i pamjaftueshëm për t’i realizuar kërkesat që mund t’i kenë kategoria e nxënësve që u nevojitet asistencë.
Së fundi, është planifikuar që në shkollat e kryeqytetit të rekrutohen edhe pesëmbëdhjetë mësimdhënës profesionalë.
Në një përgjigje me shkrim për RTV Dukagjinin, nga Komuna e Prishtinës, thonë se punësimi i tyre nuk i plotëson të gjitha kërkesat, por që është ndihmues.
“Në institucionet edukative arsimore të Komunës të Prishtinës janë punësuar 12 mësimdhënës mbështetës për fëmijët/nxënësit me nevoja të veçanta arsimore. Numri i tyre nuk është i mjaftueshëm dhe rekrutimi i 15 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore është ndihmues, por nuk e plotëson vlerësimin e nevojave përkatëse”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Në pyetjen se çfarë lloj kontratash do t’u ofrohen atyre, kanë thënë se do të jenë kontrata me afat të pacaktuar.
Leonora Shabani Bajraktari, ish-themeluese e “Down Syndrome Kosova”, dhe ish- asambliste nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, ka thënë se pesëmbëdhjetë asistentë janë të pamjaftueshëm për shkollat e kryeqytetit.
Ajo ka shtuar se Shkolla Fillore “Ismail Qemajli”, ka numër të madh të nxënësve që kanë nevojë për asistencë.
“Qe nga viti 2019 komuna do të duhej t’i punësonte asistentët. Në atë kohë, edhe pse nuk ishin votuar ne parlament asistentët, MAShT-i e kishte ndarë një buxhet për 100 asistentë. Komuna e Prishtinës deri në fund te vitit 2021 nuk i punësoi, edhe kur i punësoi, nuk i mori asistentë por 12 mësues mbështetës”, ka thënë ajo.
Nevojë të domosdoshme e ka quajtur punësimin e mësimdhënësve profesionalë, njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja. Në një përgjigje për RTV Dukagjinin, ai ka thënë që komunat të rekrutojnë mësimdhënës në mënyrë meritore.
“Asistentet profesionalë paraqesin domosdoshmëri, dhe në asnjë moment linja buxhetore e destinuar për punësimin e tyre nuk guxon të rialokohet diku tjetër. Uroj shumë që komunat të rekrutojnë asistentët me meritokraci dhe transparencë –më të mirët për nxënësit me aftësi të kufizuara”, ka thënë Qehaja.
Konkursi për pesëmbëdhjetë mësimdhënës për nxënësit me nevoja të veçanta, është hapur me datën 21 mars. Kandidatët potencialë kanë kohë të aplikojnë deri më katër prill të këtij viti, kur edhe do të mbyllet konkursi.